Breel Embolo, viktimë e një tentative grabitjeje
Sulmuesi i Rennes, Breel Embolo, ishte objekt i një tentative grabitjeje në shtëpinë e tij të shtunën në mbrëmje, vetëm disa orë pas humbjes 3–1 të skuadrës së tij ndaj Lens në Ligue 1.
Sipas burimeve të Le Parisien brenda policisë franceze, ngjarja ndodhi në rezidencën e ndërkombëtarit zviceran dhe kishte si objektiv një automjet luksoz të parkuar në pronën e tij, me vlerë që thuhet se arrin disa qindra mijëra euro.
Të dyshuarit janë përpjekur ta vjedhin automjetin, por rrethanat e sakta të ndërhyrjes ende janë nën hetim.
Raportohet se Embolo, i cili ka realizuar pesë gola në kampionat këtë sezon, është përpjekur t’i ndjekë autorët teksa ata largoheshin nga vendi i ngjarjes.
Në deklaratën e tij para autoriteteve, sulmuesi ka zbuluar gjithashtu se një tentativë e ngjashme për vjedhje kishte ndodhur vetëm katër ditë më parë.
Autorët e dyshuar mbeten ende të lirë, ndërsa policia ka nisur hetimet për zbardhjen e plotë të rastit. Ky incident shton shqetësimet për sigurinë e futbollistëve profesionistë në Francë, pasi në muajt e fundit disa lojtarë janë bërë objekt i grabitjeve apo tentativave të ngjashme.