Arrihet marrëveshja mes palëve, Kristjan Asllani i bashkohet gjigantit turk

Arrihet marrëveshja mes palëve, Kristjan Asllani i bashkohet gjigantit turk

Sport January 29, 2026 - 15:25

Largimi i Kristjan Asllanit nga Italia është drejt finalizimit. Mesfushori shqiptar pritet të mbyllë periudhën e tij të huazimit te Torino dhe të rikthehet zyrtarisht tek Interi, klub i cili tashmë ka nisur bisedimet për transferimin e tij te gjiganti turk, Beshiktas.

Sipas raportimeve, marrëveshja mes palëve është shumë pranë përfundimit dhe parashikon një huazim me opsion blerjeje, me një vlerë që shkon nga 12 deri në 13 milionë euro.

Eksperti i njohur i merkatos, Fabrizio Romano, ka dhënë detaje të reja rreth marrëveshjes së arritur mes dy klubeve.

“Kristjan Asllani te Beshiktasi, ja ku jemi. Marrëveshje e rënë dakord verbalisht me Interin për huazim me klauzolë opsioni blerjeje”, ka shkruar Fabrizio Romano.

Gazetari italian shton se Beshiktasi do të mbulojë plotësisht pagën e mesfushorit deri në qershor, ndërsa opsioni i blerjes nuk do të jetë i detyrueshëm.

Nëse gjithçka shkon sipas planit, Asllani pritet të fluturojë drejt Stambollit më vonë gjatë ditës së sotme për të kryer procedurat e fundit dhe për të nisur aventurën e re në Superligën turke.