Amir Rrahmani kthehet në fundjavë në aksion ndaj Fiorentinës

Amir Rrahmani kthehet në fundjavë në aksion ndaj Fiorentinës

Sport January 27, 2026 - 21:59

Mbrojtësi i Kombëtares së Kosovës, Amir Rrahmani, pritet të rikthehet në dispozicion të trajnerit të Napolit, Antonio Conte, për ndeshjen e radhës në Serie A ndaj Fiorentinës.

Sipas raportimeve nga mediat italiane, kapiteni dardan ka shënuar përparim të dukshëm në rikuperim dhe mund të jetë i gatshëm për sfidën që Napoli e zhvillon të shtunën nga ora 18:00, në kuadër të xhiros së 23-të të kampionatit italian.

Megjithatë, Rrahmani nuk do të jetë i gatshëm për përballjen e së mërkurës ndaj Chelseat në Ligën e Kampionëve, duel në të cilin Conte nuk do të mund të llogarisë ende në shërbimet e tij.

Qendërmbrojtësi u lëndua më 17 janar në ndeshjen kundër Sassuolos, një dëmtim muskulor që e la jashtë skuadrës për dy ndeshjet e fundit – përballë Copenhagenit në Ligën e Kampionëve dhe ndaj Juventusit në Serie A.

Edhe në pjesën e parë të sezonit, Rrahmani kishte munguar në disa takime për shkak të lëndimeve, ndërsa deri tani ka regjistruar 19 paraqitje dhe ka shënuar një gol në të gjitha garat.

Rikthimi i tij pritet të jetë një përforcim i rëndësishëm për Napolin, që në javët e fundit është përballur me mungesa të shumta për shkak të lëndimeve në repartet kyçe të skuadrës.