Ylli i Sllovakisë për përballjen me Kosovën: Nuk e njohim si kundërshtar, duhet të përgatitemi mirë

Ylli i Sllovakisë për përballjen me Kosovën: Nuk e njohim si kundërshtar, duhet të përgatitemi mirë

Sport January 27, 2026 - 21:20

Leo Sauer po vazhdon të afirmohet si një nga lojtarët më perspektivë të përfaqësueses së Sllovakisë. 20-vjeçari po paraqitet me sukses te Feyenoord në Holandë, ku në fundjavë shënoi edhe një gol, duke dëshmuar se forma e tij po rritet me çdo ndeshje.

Megjithatë, suksesi i tij nuk është vetëm në klub. Sauer ka arritur të grumbullojë dhjetë ndeshje me përfaqësuesen e Sllovakisë, duke qenë pjesë e të gjitha gjashtë ndeshjeve kualifikuese për Kupën e Botës 2026. 

Ai pritet të jetë një nga titullarët kryesorë të skuadrës në në 26 mars, kur Sllovakia do të presë Kosovën në gjysmëfinalen e 'play-off'-it për kualifikim në Botëror, që zhvillohet në Bratislavë.

Pavarësisht se Kosova nuk është një kundërshtare e njohur për të, Sauer nuk nënvlerëson rivalin. Sulmuesi i krahut të majtë pranon se nuk e ka parë kurrë Kosovën në fushë, por ka respekt për nivelin e saj, veçanërisht pas fitores së Kosovës ndaj Suedisë.

“Do të jem i sinqertë, nuk di shumë për këtë kundërshtarë. Nuk e kam parë asnjëherë duke luajtur. Por Kosova e ka mposhtur Suedinë dhe të gjithë thonë se kemi kundërshtarë të vështirë. Kështu që duhet të përgatitemi mire”, ka thënë Sauer për faqen zyrtare të federatës sllovake.

Në Sllovaki, po ashtu si te Kosova, ëndërrojnë të arrijnë kualifikimin në Kupën e Botës. Në finale të 'play-off'-it, që jep biletën për Botëror, fituesi i çiftit Sllovaki-Kosovë do të përballet në shtëpi me fituesin e përballjes Turqi-Rumani.

Sauer ka shprehur se pjesëmarrja në Botëror do të ishte një arritje historike për të dhe për vendin e tij.

“Pjesëmarrja në Kupën e Botës do të thoshte shumë për mua. Tashmë kam shijuar Evropianin dhe kam pasur përvojë dhe kujtime të mahnitshme”. 

“Kualifikimi në Botëror është ndoshta gjëja më e madhe që mund të arrish me ekipin nacional. Do të ishte ngjarje e madhe, gjë e madhe për Sllovakinë nëse kualifikohemi në Botëror”, ka theksuar Sauer.