Rinor Grajqevci emërohet ushtrues detyre i kryetarit të Sigal Prishtinës

Rinor Grajqevci emërohet ushtrues detyre i kryetarit të Sigal Prishtinës

Sport January 21, 2026 - 15:03

Rinor Grajqevci është emëruar kryetar i KB Prishtinës.

Kryetari i “plisave” e ka marrë këtë detyrë nga Bekë Berisha, i cili sipas Agjencisë për Parandalimin e Korrupsionit nuk mund të jetë në të njëjtën kohë deputet i kuvendit dhe kryetar i KB Prishtina.

Emërimi i Grajqevcit është bërë nga vetë Berisha, teksa në dokumentin e siguruar nga IndeksOnline, thuhet:

“…autorizoj anëtarin e Bordit drejtues të KB Sigal Prishtina, z. Rinor Grajqevcin, të cilin e emëroj po ashtu edhe nën-kryetar timin, që të ushtrojë detyrat dhe funksionet e kryetarit të KB Sigal Prishtina, gjatë mungesës sime. Ky autorizim ka fuqi juridike të plotë dhe është i vlefshëm deri në zgjedhjen e kryetarit të ri të KB Sigal Prishtina, në përputhje me statutin e klubit”.

Me këtë rast, Grajqevci do të ketë të gjitha të drejtat, detyrat dhe përgjegjësitë e plota të kryetarit të klubit.

Kjo do të bëhet në përputhje të plotë me kompetencat që rrjedhin nga neni 28 i statutit të KB Sigal Prishtina, si edhe aktet e tjera normative të klubit.

Një javë më parë, emërimi i Bekë Berishës në krye të klubit kryeqytetas hasi në pakënaqësi të madhe te tifogrupi i ekipit, i cili kërkoi që ekipi të udhëhiqej nga tjetërkush.

Emërimi i Berishës po ashtu u ndesh me një vendim i Ministrisë së Kulturës, Rinisë dhe Sportit (MKRS) duke sugjeruar se Bekë Berisha nuk mund të jetë edhe deputet, edhe kryetari i klubit basketbollistik Prishtina, pasi kjo përbën konflikt interesi.

Në mbledhjen e Kryesisë së klubit në mbrëmjen e së shtunës Berisha ofroi dorëheqjen.

Image