Dy muaj pa shënuar gol, Albion Rrahmani thyen heshtjen: Ishte vështirë, por e riktheva besimin

Dy muaj pa shënuar gol, Albion Rrahmani thyen heshtjen: Ishte vështirë, por e riktheva besimin

Sport December 11, 2025 - 18:22

Sulmuesi Albion Rrahmani është i lumtur që e ka rifituar besimin dhe po bën paraqitje të mira për Sparta Pragën.

Rrahmani kaloi një periudhë jo të mirë pasi në dy muajt e fundit dështoi të shënojë gol, megjithatë e tërë situata ndryshoi në dy ndeshjet e fundit – ku falë golave të tij, Sparta avancoi në Kupën e Çekisë si dhe i fitoi pikët e plota në elitë.

Në konferencë për shtyp para përballjes me klubin rumun Craicova për Ligën e Konferencës, Rrahmani pranoi se kaloi një periudhë jo të mirë por tani është fokusuar.

“Sigurisht është e rëndësishme për një futbollist të ketë besim. Mendoj se e kam fituar prapë besimin. Shpresoj se po bëj gjërat mirë dhe të vazhdoj kështu”.

“Ishte pak vështirë, por më duhet të luftoj dhe do të provoj të bëj më të mirën në secilën lojë”.

Rrahmani kujtoi se kur ishte pjesë e Rapid Bukureshtit debutoi ndaj Craicovas, por këtë herë shpreson të gjejë rrugën drejtë rrjetës meqenëse ende nuk ka shënuar gol.

“Sigurisht është gjithnjë mirë. Kam kaluar kohë të mirë këtu. Kur erdha në këtë stadium, e kujtova debutimin. Ishte lojë e bukur dhe shpresoj të ndodhë e njëjta”.

“Craicova është skuadër shumë e mirë. Po luajnë mirë në ligë, por edhe në Ligën e Konferencës. Sidomos në shtëpi, në qytetin e tyre janë të fortë. Besoj se do të jemi 100 për qind gati për të fituar. Do të luajmë fortë dhe t’i fitojmë tre pikë”.

Në fund, ylli i Kosovës përgëzoi Rapid Bukureshtin në garën për titull, si dhe shtoi se shpreson që ta mbyllin sezonin me trofe.

“I shikoj thuajse të gjitha ndeshjet. Po luajnë shumë mirë, janë në rrugën e duhur. Shpresoj që fitojnë trofe këtë sezon”.