Shkëndija në provimin e madh evropian ndaj Slovan Bratislavës
Kur kanë mbetur edhe pak orë deri në fillimin e ndeshjes, Shkëndija po hyn në një duel vendimtar për vazhdimin e aventurës në UEFA Ligës së Konferencës. Edhe pse shanset u zvogëluan pas humbjes ndaj Dritës, ato ende ekzistojnë dhe për të mbajtur gjallë ëndrrën evropiane, kuqezinjtë duhet të kalojnë sfidën e madhe të mbrëmjes, kampionin e Sllovakisë, Slovan Bratislava që nis sonte në ora 18:45, njofton Telegrafi.
Ndonëse në Gjilan Shkëndija dominoi statistikat, një moment pakujdesie i kushtoi ekipit të Jeton Beqirit. Tani në Shkup vjen Slovan Bratislava, një skuadër që së fundmi mposhti edhe Rayo Vallecano dhe ka lojtarë me shumë përvojë. Mes tyre edhe kapiteni 36-vjeçar Vladimir Weiss. Sllovakët megjithatë kanë mungesë të rëndësishme, Tigran Barseghyan që është i dëmtuar, kështu që barra bie mbi krahun e majtë, talentin Nino Marçeli, lojtari më i vlerësuar i ekipit.
Slovani këtë edicion ka pësuar humbje nga Strasburgu, AZ Alkmari dhe KUPS-i, por ka shënuar në shumicën e ndeshjeve evropiane. Shkëndija ndërkohë mbështetet te forca tifozëve, ku fitoi ndaj Shelbourne dhe barazoi me Jagiellonian. Me një fitore, kuqezinjtë do t’i afroheshin realisht fazës me eliminim direkt, por edhe barazimi i mban në garë, por me më shumë llogari para sfidës së fundit në Qipro.
Sipas parashikimeve statistikore, Shkëndija ka rreth 33% gjasa për të kaluar grupin. Pritet një qasje ofensive që nga fillimi, ndërsa golashënuesi më i mirë evropian i klubit, Besart Ibraimi, me shumë gjasë do të nisë sërish nga banka për shkak të ritmit të lartë të ndeshjeve.