Katër ndeshje pa humbje dhe ambicie për kreun – Ndue Pergjokaj flet për “Dukagjinin e tij”
Trajneri i ri i Dukagjinit, Ndue Pergjokaj, ka nisur aventurën e tij me një ritëm që ka rikthyer gjallërinë në Klinë. Me tri fitore dhe një barazim në katër ndeshjet e para, ai e ka ngjitur skuadrën menjëherë në pjesën e epërme të tabelës, duke sjellë qetësi dhe stabilitet në një moment vendimtar të stinorit.
Në një intervistë për portalin Telegrafi, Pergjokaj theksoi se çelësi i suksesit është grupi cilësor që ka në dispozicion, duke nënvizuar se lojtarët, me përvojën dhe energjinë e tyre, po e mbajnë ekipin në garë për kreun e tabelës. Ai shtoi se Dukagjini i sotëm ka potencial real për të luftuar me skuadra si Drita, Ballkani e Prishtina.
Trajneri klinas theksoi se skuadra do të vazhdojë me qasje ndeshje pas ndeshjeje, pa presion, duke synuar të mbyllë pjesën e parë të stinorit në mënyrën më të mirë të mundshme. Sipas tij, rruga është e gjatë, por Dukagjini tashmë ka dëshmuar se mund të jetë pjesë e garës së madhe.
“Të jem i sinqertë kemi grup shumë të mirë të futbollistëve dhe kam pritur që të kemi start të mirë dhe më meritorët për këto rezultate janë futbollistët”, ka thënë fillimisht Pergjokaj.
“Kam që një kohë në klub dhe mendoj që e njoh mirë grupin dhe më ka takuar që ta marr përgjegjësinë dhe falënderoj klubin për besimin, si dhe futbollistët që më kanë pritur mjaft mirë”.
“Mendoj se KF Dukagjini ka kapacitet të luftoj për kreun e tabelës pasi kemi lojtar cilësor në ekip, kemi lojtar me përvojë dhe disa lojtar të ri të cilët sjellin balancë të energjisë dhe qetësisë në ekip”.
Kur u pyet se kë i sheh si rivalë për kreun e renditjes, Pergjokaj shtoi se: “Si rival i shoh ekipet si Drita, Ballkani dhe Prishtina”.
Për Pergjokajn, synimi i vetëm për momentin është ta mbyllë këtë pjesë të stinorit me të njëjtin ritëm të lartë dhe më pas të vazhdojë ndërtimin e një Dukagjini edhe më konkurrues.
“Synimi ynë është që t’i marrim ndeshjet një nga një me qetësi dhe besoj shumë te grupi i lojtarëve si dhe mendoj se edhe këto dy ndeshje që kanë mbetur do t’i kalojmë mirë”.
Pergjokaj me stafin e tij
“E ardhmja jote? Një herë po mendoj vetëm t’i përfundojmë këto ndeshje të këtij stinori në mënyrën më të mirë të mundshme dhe pastaj do të shohim”, përfundoi trajneri i Dukagjinit.
Ndryshe, klinasit renditen në pozitën e tretë me 27 pikë, po aq sa ka Prishtina e dyta dhe dy pikë më pak se Ballkani i pari. Në dy ndeshjet e mbetura të sezonit, Dukagjini luan ndaj Prishtinës së Re në udhëtim dhe Ballkanit si vendas. /telegrafi



