Real Madrid drejt shkarkimit të Xabi Alonsos, Zidane i thotë “jo” rikthimit
Te Real Madrid po zhvillohet një krizë e plotë në stol dhe shkarkimi i Xabi Alonsos duket çështje ditësh.
Florentino Perez ka tentuar një lëvizje të papritur, duke i ofruar Zinedine Zidane një rikthim të përkohshëm deri në fund të sezonit, por francezi e ka refuzuar pasi thuhet se ka një marrëveshje verbale për të marrë drejtimin e Kombëtares së Francës pas Botërorit 2026.
Pakënaqësia me Alonsonin është rritur ndjeshëm pas humbjes së fundit, ndërsa drejtuesit e akuzojnë për mungesë autoriteti në dhomën e zhveshjes, tolerim ndaj yjeve dhe ulje të intensitetit në përgatitjet taktike.
Florentino Perez raportohet të jetë shumë i zhgënjyer, por nuk deshi të prishte moralin e ekipit para ndeshjes së Ligës të Kampionëve kundër Manchester Cityt.
Edhe Jurgen Klopp është hequr nga lista, pasi nuk është i gatshëm të marrë drejtimin e Real Madridit.
Me të dy alternativat e mëdha jashtë loje, klubi është drejtuar nga opsioni më i realizueshëm: Alvaro Arbeloa.
Trajneri i akademisë pritet të marrë detyrën e trajnerit të parë si zgjidhje e përkohshme menjëherë pas largimit të Alonsos.
Sipas burimeve nga klubi, drejtuesit po përgatisin edhe një ristrukturim të thellë të skuadrës për muajt e ardhshëm.
Disa lojtarë të rëndësishëm që nuk kanë bindur këtë sezon mund të largohen, ndërsa Real Madrid synon të rikthejë disiplinën, intensitetin dhe identitetin kompetitiv që thuhet se janë dobësuar nën drejtimin e Xabi Alonsos.
Real Madridi po hyn në një fazë delikate, ku çdo vendim do të ndikojë drejtpërdrejt në garën për trofetë. /telegrafi

