Pësoi lëndim në fytyrë, gjendja e portierit të Gjilanit është stabile

Pësoi lëndim në fytyrë, gjendja e portierit të Gjilanit është stabile

Sport December 07, 2025 - 19:43

Gjilani ka njoftuar se gjendja e portierit të tyre, Vokli Laroshi është stabile pas lëndimit që ai mori sot në fytyre në përballjen ndaj LLait.

Sidoqoftë, ata thanë se ai mbetet në monitorim në rast të përkeqësimit të gjendjes.

“Sport Club Gjilani njofton se futbollisti Vokli Laroshi ka pësuar një goditje të fortë në fytyrë gjatë ndeshjes së sotme ndaj Llapit, si pasojë e një kontakti të pakontrolluar të lojtarit kundërshtar Alex Gnapi.  Menjëherë pas incidentit, ekipi mjekësor i klubit reagoi me shpejtësi, duke i ofruar ndihmën e parë në fushë, ndërsa për arsye sigurie dhe sipas protokolleve mjekësore, u vendos që portieri të zëvendësohej”, thuhet në njoftim të Gjilanit në Facebook.

“Pas kontrollit mjekësor të kryer menjëherë pas ndeshjes, gjendja e Voklit vlerësohet stabile dhe pa pasoja serioze, megjithëse vazhdon të ndjejë dhimbje të lehta në kokë, të cilat po monitorohen nga ekipi mjekësor”.

“Klubi konfirmon se lojtari do të vazhdojë trajtimin dhe pushimin e nevojshëm, ndërsa çdo zhvillim i mëtejmë mbi gjendjen e tij do të komunikohet në kohë. Rikthimi në aktivitet do të bëhet pas konsulatave të radhës me stafin mjekësor të ekipit”.