Zhegrova është 100 për qind i gatshëm, pritet të ketë më shumë minuta ndaj Napolit

Zhegrova është 100 për qind i gatshëm, pritet të ketë më shumë minuta ndaj Napolit

Sport December 07, 2025 - 11:58

Edon Zhegrova po rikthehet në formën e tij më të mirë te Juventusi pas një periudhe të gjatë dëmtimi. Mesfushori kosovar ka vuajtur prej nëntë muajsh nga pubalgjia, e cila e ka penguar të luajë rregullisht që nga mbërritja e tij te klubi italian gjatë verës.

Megjithatë, pavarësisht mungesës së vazhdueshme të ndeshjeve, Zhegrova ka shfaqur shkëndija të talentit të tij në pak minutat që ka pasur në dispozicion në Ligën e Kampionëve, në Serie A dhe në Kupën e Italisë. Deri tani rekordi i tij nuk përfshin as gola dhe as asiste, por kjo mund të ndryshojë që sonte.

Sipas La Gazzetta dello Sport, pas rikuperimit të plotë fizik, Zhegrova ka arritur nivelin e shokëve të tij të ekipit, duke e bërë atë një opsion të fortë për ndeshjen e sonte kundër Napolit.

Përveç kësaj, ai pritet të jetë i gatshëm edhe për ndeshjen e ardhshme të Ligës së Kampionëve ndaj Pafos.

Megjithëse emri i Conceiçao shihet si opsioni më i mundshëm për të qenë titullar, nuk përjashtohet që Zhegrova të marrë më shumë minuta loje sesa ka pasur deri tani, duke pasur parasysh eksperiencën e tij të fundit në Kupën e Italisë kundër Udineses, ku hyri në vend të Yildiz, ndërsa Conceiçao u aktivizua dhjetë minuta më parë në vend të Miretti-t.

Ky rikthim i Zhegrovas mund të sjellë një përforcim të rëndësishëm për Juventusin në një periudhë vendimtare të sezonit, si në Ligë ashtu edhe në Evropë. /Telegrafi