Çeku: Në rajonin e Prizrenit po zhvillohen projekte kapitale në fushën e kulturës, rinisë dhe sportit
Ministri në detyrë i Kulturës, Rinisë dhe Sportit, Hajrullah Çeku ka vazhduar vizitat në komunat e rajonit të Prizrenit, ku sipas tij po zhvillohen projekte kapitale në fushën e kulturës, rinisë dhe sportit.
Çeku përmes një postimi në rrjetin social Facebook tha se angazhimi për modernizimin e infrastrukturës në mbarë vendin po ecën me ritme të pandalshme, raportn Zeri.info.
“Në Dragash ka nisur ndërtimi i Qendrës Multifunksionale, investim prej 1 milion eurosh që pritet të shndërrohet në një hapësirë bashkëkohore për të rinjtë e zonës. Në Prizren, punimet për fushat e mbyllura të tenisit po vazhdojnë me investimin prej 745 mijë eurosh, ndërsa së shpejti do të fillojnë punimet edhe për rinovimin e plotë të stadiumit “Përparim Thaçi, projekt ky me vlerë 12 milionë euro. Në Rahovec, ministria ka ndarë 2.5 milionë euro për ndërtimin e një kompleksi të madh kulturor që do të akomodojë institucionet lokale të artit. Ndërsa në Mamushë po ngrihet Qendra Kulturore Turke me një investim prej afro 2 milionë eurosh”, ka thënë Çeku.
Ai mes tjerash ka përmendur edhe punimet të cilat po vazhdojnë edhe në Suharekë, ku ndërtimi i stadiumit të qytetit po ecën me investimin prej 11 milionë eurosh, teksa fushat ndihmëse të futbollit tashmë janë përfunduar.
"Këto projekte janë dëshmi e angazhimit të qeverisë për të krijuar hapësira moderne kulturore, sportive dhe rinore për të gjitha komunitetet në vend", ka thënë Çeku. /Zëri