Shkëndija kërkon çerekfinalen, pengesa e radhës është Tikveshi

Shkëndija kërkon çerekfinalen, pengesa e radhës është Tikveshi

Sport November 18, 2025 - 16:31

Shkëndija e Tetovës vazhdojë të plotësojë ndeshjet e mbetura, shkaku i angazhimeve ne Ligën e Konferencës. Nesër kuqezinjtë i kthehet obligimeve vendore duke marrë pjesë në një sfidë të rëndësishme në kuadër të 1/8 së finales së Kupës së Maqedonisë.

Të mërkurën, në orën 13:00, Stadiumi i Qytetit në Tetovë do të jetë nikoqir i duelit mes Shkëndijës dhe Tikveshit, një takim që luhet me vetëm një ndeshje eliminatore.

Për shkak të angazhimeve ndërkombëtare në Ligën e Konferencës, ky duel ishte shtyrë dy herë, por tani vjen momenti për kuqezinjtë të kërkojnë kualifikimin në çerekfinale, në një garë që e vlerësojnë maksimalisht.

Shkëndija, e cila këtë sezon garon në tre fronte, mbrojtjen e titullit kampion, në Kupë dhe në Evropë, ka objektiv të qartë fitoren dhe triumfin final në Kupë, ku tashmë ka fituar në vitet 2016 dhe 2018.

Në fazën e 1/16-ës, Shkëndija shënoi fitore të thellë 9:0 kundër Jeni Maales, ndërsa rivali i tyre, Tikveshi (fitues i Kupës në vitin 2024), fitoi 1:0 kundër “Skopjes”.

Sa i përket situatës në skuadrën e Shkëndijës, trajneri Beqiri do të ketë disa mungesa si pasojë e dëmtimeve dhe angazhimeve kombëtare: Portieri Baboucarr Gaye vazhdon rikuperimin, Reshat Ramadani është me ekipin A të Maqedonisë së Veriut, ndërsa Anes Meliqi, pas angazhimit me U21 sot, pritet të kthehet nesër në ekip.

Gjithashtu, Imran Fetai mbetet në dyshim për shkak të një shqetësimi dëmtimi. Lajmi i mirë për kuqezinjtë është rikthimi i Klisman Cakes, i cili menjëherë pas ndeshjes Shqipëri-Angli i është bashkuar grupit dhe do të jetë në kombinim për ndeshjen e nesërme.

Shkëndija kërkon të konfirmojë superioritetin e saj në shtëpi dhe të hedhë hapin e parë drejt objektivit të Kupës.