Laporta flet për vizitën e Messit në Camp Nou, largimin e tij dhe rikthimin e mundshëm

Laporta flet për vizitën e Messit në Camp Nou, largimin e tij dhe rikthimin e mundshëm

Sport November 12, 2025 - 12:58

Presidenti i Barcelonës, Joan Laporta, ka folur për vizitën befasuese të Lionel Messit në Camp Nou të dielën, teksa foli edhe për largimin e tij dhe rikthimin e mundshëm.

Duke folur për Catalunya Radio, presidenti pranoi se nuk ishte në dijeni të qëllimeve të yllit argjentinas dhe pohoi se nuk pendohet për largimin e Messit, pasi prania e tij e vazhdueshme në klub nuk ishte e mundur.

Ai gjithashtu përsëriti se Barça është më e madhe se çdo individ.

"E prita ngrohtësisht. Ishte një shpërthim spontan i krenarisë së tij për Barcelonën. Nuk e dija, por kjo është shtëpia e tij. Ishte me miqtë, për një shëtitje, sapo kishte mbaruar darkën dhe ndaloi spontanisht”, ka thënë fillimisht Laporta.

“Nuk i dërgova asnjë mesazh. Kemi një marrëdhënie të mirë. Ai luan për Inter Miamin. Ai e di që është i dashur dhe i vlerësuar për atë që është dhe se do të jetë gjithmonë i mirëpritur”.

“Është e drejtë që ai të marrë nderimet më të mira në botë. Do të ishte e mrekullueshme që nderimet e tij të ishin këtu, para 105.000 tifozëve", shtoi ai.

Tutje, Laporta ka folur edhe për largimin e tetë herë fituesit të Topit të Artë si dhe mundësinë e kthimit të tij te Barcelona.

“Pavarësisht se si ndodhi gjithçka me largimin e Leo Messit, nuk kam asnjë keqardhje. Barça është mbi këdo tjetër. Nuk është ajo që të gjithë donim, por nuk ishte e mundur në atë moment”.

“Nga respekti për Messin, lojtarët tanë dhe anëtarët tanë, nuk është koha për të spekuluar me skenarë jorealistë”, përfundoi presidenti i Barçës.