
“Nëse fitojmë ndaj Omanias, merita ka edhe Foda” - Ramadani flet për përballjen me qipriotët në “Fadil Vokrri”
Trajneri i Dritës, Zekirija Ramadani, ka folur të mërkurën në konferencën për shtyp para ndeshjes së rëndësishme ndaj Omonias, duke theksuar se ka mësuar shumë nga ndeshjet e fundit të Kombëtares së Kosovës në kualifikimet për Kupën e Botës 2026.
Ramadani ka vlerësuar punën e përzgjedhësit Franco Foda, duke theksuar se ka marrë shembull nga mënyra se si Kosova është vendosur në fushë kundër rivalëve më të fortë. Ai madje shtoi se edhe në rast fitoreje të Dritës ndaj Omonias, një pjesë e meritës do t’i takonte Fodas.
“Niveli është pak më i lartë se kampionati jonë. Ne kemi parë dy ndeshje të kampionatit të Qipros – është një kampionat shumë i fortë, me tifozëri të zjarrtë dhe me shumë ritëm. Këtë ritëm ne e përjetojmë vetëm në ndeshjet evropiane, sepse në kampionat kemi ritëm ndryshe”, deklaroi Ramadani.
Në vazhdim, trajneri i Dritës theksoi se ka analizuar me kujdes ndeshjet e fundit të Kosovës për të përfituar si trajner, duke e vlerësuar Fodan.
“Sa i përket reprezentacionit të Kosovës, padyshim që si trajner gjithmonë shohim ndeshje. Në tre ndeshjet e fundit që ka bërë Kosova, unë kam marrë shumë mësime se si duhet të vendoset ekipi përballë një kundërshtari më të fortë. Shpresoj se kemi marrë mësimin e duhur dhe do të mundohemi ta shfrytëzojmë këtë. Nëse dalim me fitore, padyshim se edhe Franco Foda ka meritë, sepse kam parë dhe analizuar me kujdes ndeshjet e fundit të Kosovës – jo për debate televizive, por për t’u pasuruar profesionalisht si trajner”, deklaroi trajneri shkupjan.
Ndeshja Drita – Omonia do të zhvillohet të enjten mbrëma në stadiumin “Fadil Vokrri”, duke filluar nga ora 18:45, në kuadër të ndeshjes së dytë të Ligës së Konferencës.