
Skandali në Serbi, FFK-ja kërkon ndëshkim të rreptë nga UEFA pas thirrjeve anti-Kosovë
Federata e Futbollit e Kosovës (FFK) ka reaguar me tonë të forta pas skenave të shëmtuara të shfaqura gjatë ndeshjes Serbi – Shqipëri, ku në tribunat e stadiumit të Leskocit u panë thirrje në kor kundër Kosovës dhe mesazhe provokuese me flamurin serb mbi hartën e Kosovës.

Në njoftimin zyrtar, FFK dënon ashpër këto veprime, duke theksuar se ato bien ndesh me frymën sportive dhe me parimet e respektit që promovojnë UEFA dhe FIFA.
“Këto skena për fat të keq nuk janë të reja në stadiumet serbe, ku nxitja e urrejtjes dhe mesazhet fyese ndaj shteteve fqinje vazhdojnë të përsëriten pa ndëshkim të mjaftueshëm. Veprime të tilla bien ndesh me vlerat që përfaqëson futbolli evropian”.
FFK ka paralajmëruar se do të paraqesë një notë zyrtare proteste në UEFA, duke kërkuar masa të qarta dhe të rrepta ndaj Federatës së Futbollit të Serbisë për “aktet e përsëritura që dëmtojnë imazhin e futbollit dhe cenojnë parimet themelore të sportit”.
Në të njëjtën kohë, Federata ka ururar Kombëtaren e Shqipërisë për fitoren e merituar 1:0 ndaj Serbisë, duke e cilësuar atë si “fitore që pasqyron karakterin, përkushtimin dhe forcën e futbollit shqiptar”.
“Federata e Futbollit e Kosovës do të vazhdojë të mbrojë me dinjitet vlerat e sportit, respektit dhe barazisë mes popujve, duke kërkuar që çdo fushë futbolli në Evropë të jetë vend i lojës dhe jo i urrejtjes”, përfundon reagimi i FFK-së.