Ferizaj rikthehet te fitorja pas pesë humbjeve radhazi

Ferizaj rikthehet te fitorja pas pesë humbjeve radhazi

Sport October 05, 2025 - 17:11

Ferizaj ka arritur një fitore shumë të rëndësishme ndaj Drenicës me rezultat 2-0, në ndeshjen e vlefshme për javën e tetë të Superligës së Kosovës, duke i dhënë fund një serie prej pesë humbjesh radhazi dhe duke rikthyer besimin në skuadër pas ardhjes së trajnerit Nevill Dedja.

Takimi i zhvilluar në stadiumin e qytetit të Ferizajt nisi me intensitet të lartë nga vendasit, të cilët treguan qartë synimin për të rikthyer buzëqeshjen. 

Që në minutat e para, Ferizaj e mori kontrollin e lojës, duke krijuar presion të vazhdueshëm në gjysmëfushën e Drenicës.

Epërsia e shumëkërkuar erdhi në minutën e 23-të, kur Betim Haxhimusa fitoi një penallti pas një depërtimi të shpejtë në zonë. Nga pika e bardhë, Valmir Nafiu u tregua i saktë, duke e dërguar topin në rrjetë për 1-0 dhe duke ndezur atmosferën te tifozët ferizajas.

Në pjesën e dytë, Drenica u hodh përpara në kërkim të barazimit, por mbrojtja e Ferizajt funksionoi në mënyrë të përkryer. 

Skuadra vendase menaxhoi mirë avantazhin dhe në kundërsulme ishte gjithmonë e rrezikshme. Në minutat shtesë, Donard Labjani, i sapoinkuadruar nga stoli, vulosi fitoren me një gol të dytë në portën e zbrazët pas një kundërsulmi të shpejtë (2-0).

Në fund, Ferizaj mori tri pikë shumë të vlefshme, duke u ngjitur në kuotën e 9 pikëve dhe në vendin e shtatë të tabelës. Nga ana tjetër, Drenica mbetet në vendin e katërt me 11 pikë.

Kjo fitore shënon një fillim të ri për Ferizajn, që nën drejtimin e Nevill Dedës ka rigjetur fitoret.