
Athletic Bilbao fiton lëndën në FIFA, Laporte konfirmohet si lojtar i ri i baskëve
Athletic Bilbao ka konfirmuar zyrtarisht se transferimi i Aymeric Laporte nga Al Nassr është pranuar më në fund nga FIFA.Klubi i La Ligës arriti në ditën e fundit të afatit kalimtar marrëveshje me Al Nassr për transferimin e mbrojtësit Laporte.
Megjithatë, klubi saudit nuk arriti t’i dërgojë të gjithë dokumentet në FIFA me kohë, duke lënë transferimin pezull.
Por, tani FIFA e dëgjoi kërkesën e Bilbaos dhe konsideroi se kanë kryer të gjithë punën siç duhet, derisa ishte Al Nassr që gaboi para se afati kalimtar veror të mbyllet zyrtarisht.
“Aymeric Laporte po kthehet në shtëpi. Qendërmbrojtësi është larguar nga Al-Nassr për t'u ribashkuar me Athletic Club, duke nënshkruar një kontratë trevjeçare deri më 30 qershor 2028”, thuhet në njoftim.
Ndryshe, qendërmbrojtësi u kthye në shtëpinë e tij dhe vendin ku bëri hapat e parë në futbollin profesional, duke bërë 222 paraqitje midis viteve 2012 dhe 2018.
Transferimi i tij nga Al Nassr thuhet se u ka kushtuar baskëve 10 milionë euro.