
Arbër Zeneli e konfirmon përplasjen me FFK-në
Arber Zeneli, një nga futbollistët më të rëndësishëm që ka veshur fanellën e Kosovës, ka folur hapur për situatën e tij aktuale me përfaqësuesen “dardane”.
Sulmuesi 30-vjeçar, i cili ka grumbulluar 33 paraqitje dhe ka shënuar 9 gola me Kosovën, për mediumin suedez Aftonbladet thotë se gjithmonë ka dëshirë të luajë për vendin e tij, por mes tij dhe Federatës së Futbollit të Kosovës ende ekzistojnë disa mosmarrëveshje.
“Synimi për të luajtur për Kosovën gjithmonë ekziston. Por mes meje dhe FFK-së ka disa çështje të pazgjidhura. Do të shohim si do të rrjedhin gjërat”, u shpreh Zeneli.
Ai zbuloi se problemi ka lindur rreth dy vite më parë, por pa dashur të zbulojë detaje konkrete.
“Ka ndodhur një situatë rreth dy vjet më parë. Nuk dua të hyj në detaje në media, sepse ende nuk është sqaruar se kush kishte të drejtë e kush jo”.
I pyetur nëse mungesat e tij te Kosova lidhen me mosftesën ose me vendimin personal për të mos u paraqitur, Zeneli tha se arsyeja qëndron “pak nga të dyja”.
“Dua të diskutoj situatën me personat e përfshirë. Mund të ketë qenë një keqkuptim. Nuk pajtohem me atë që është thënë”, shtoi ai, shkruan Express.
Megjithatë, Zeneli e bëri të qartë se nëse palët arrijnë të sqarojnë situatën, ai është i gatshëm të rikthehet te Kosova.
“Absolutisht. Kosova është kombëtarja ime, ishte zgjedhja ime kur isha 20-21 vjeç, sepse ata kishin një vizion. Shpresoj që të qëndrojnë besnikë ndaj atij vizioni”, theksoi sulmuesi.
Një tjetër element interesant është fakti se vëllai i tij, Besfort Zeneli, tashmë është pjesë e Kombëtares së Suedisë, çka krijon mundësinë e një përballjeje të rrallë mes dy vëllezërve në nivele ndërkombëtare.
Kosova dhe Suedia përballen sonte në Prishtinë, në ndeshjen e dytë të grupit për kualifikimet e Kupës së Botës 2026. Dy skuadrat do të takohen sërish më 13 tetor në “Ullevi” të Goteborgut.