
Ten Hag i shpalos letrat: Ronaldo nuk ishte kurrë problemi te Man Utd
Ish-trajneri i Manchester United, Erik ten Hag, ka këmbëngulur se Cristiano Ronaldo “kurrë nuk ka qenë problemi” gjatë kohës së tij në klub, duke bërë një thumb ndaj drejtuesve.
Ten Hag dhe Ronaldo, tashmë 40 vjeç, raportohej se kishin një marrëdhënie të tensionuar gjatë bashkëpunimit të tyre në “Old Trafford”, gjë që përfundoi me largimin e sulmuesit portugez drejt Al Nassr-it.
Ronaldo ka vazhduar të shënojë gola në Arabinë Saudite, duke realizuar së fundmi një tripletë në fitoren 4-0 ndaj Rio Ave në një ndeshje miqësore.
Duke folur pas humbjes 2-0 në miqësore ndaj Chelseat, trajneri aktual i Bayer Leverkusen, Ten Hag, e mbrojti në mënyrë të papritur ish-lojtarin e tij.
I pyetur nëse Ronaldo “ende është problemi” pas shënimit të tripletës, Ten Hag u përgjigj:
“Për mua nuk ka asnjë problem, ai kurrë nuk ka qenë problemi. Mendoj se ajo është e shkuar, ndodhi ajo që ndodhi, dhe pas kësaj ne fituam dy trofe me Manchester United-in. I uroj atij gjithçka më të mirë për të ardhmen”. /Express