
Stuttgarti “zbutet” pranon të nisë negociatat me Bayernin për Nick Woltemade
Pas refuzimit fillestar, VfB Stuttgart ka vendosur të hyjë në bisedime me Bayern Munichun për transferimin e sulmuesit Nick Woltemade, raporton Bild. Kjo shënon një kthesë të madhe në qëndrimin e klubit, që deri tani kishte mbajtur një pozicion të prerë kundër shitjes.
Oferta e Bayernit, e cila kap vlerën 55 milionë euro (50 milionë + 5 në bonuse), ishte refuzuar më parë, por presioni i brendshëm dhe potenciali financiar kanë bërë që disa zyrtarë të kërkojnë rishqyrtim.
Woltemade, 23 vjeç, është afër të bëhet shitja më e madhe në historinë e Stuttgartit, duke kaluar transferimin e Benjamin Pavard te Bayern për 35 milionë euro në vitin 2019.
Disa anëtarë të bordit mbikëqyrës kanë ndryshuar qëndrim dhe janë të mendimit se një ofertë e tillë duhet të merret seriozisht, pasi mund të ketë ndikim të madh në financat e klubit.
Përkundër kësaj, drejtori ekzekutiv Alexander Wehrle dhe drejtori sportiv Fabian Wohlgemuth, së bashku me presidentin Dietmar Allgaier, vazhdojnë të jenë më të rezervuar në lidhje me largimin e sulmuesit.
Situata është bërë edhe më delikate për shkak të afërsisë gjeografike mes kampit stërvitor të Stuttgartit në Tegernsee dhe selisë së Uli Hoeness e Max Eberl nga Bayern, duke nxitur spekulime për një takim vendimtar.
Tani pritet që ditët në vijim të jenë vendimtare për fatin e transferimit të Woltemade, ndërsa negociatat zyrtare pritet të nisin së shpejti – me Bayernin që nuk heq dorë dhe Stuttgartin që më në fund ka hapur derën për bisedime.
