
Bernard Berisha largohet nga Akhmat Grozny pas tetë vjetësh
Pas më shumë se tetë viteve të kaluara në futbollin rus, Bernard Berisha ka mbyllur kapitullin e tij me Akhmat Grozny.
Klubi çeçen njoftoi të enjten se mesfushori kosovar dhe klubi kanë rënë dakord për një shkëputje të kontratës me marrëveshje të përbashkët.
Berisha nuk ishte thjesht një lojtar për Akhmatin – ai u kthye në një figurë simbol. Me 199 paraqitje, 28 gola dhe 23 asistime, ai la gjurmë të pashlyeshme në historinë e klubit.
Në njoftimin zyrtar, Akhmat Grozny e përshkroi Bernardin si “një profesionist shembullor, një lider në fushë dhe një njeri i dashur jashtë saj”.
“Për tifozët tanë, Bernard Berisha është bërë më shumë se një futbollist. Ai është kthyer në idhullin e tyre. Faleminderit për gjithçka, vëlla! Paç fat në rrugëtimin tënd të radhës,” shkruan klubi çeçen.
Berisha iu bashkua futbollit rus në janar të vitit 2016 kur firmosi për Anzhi Makhachkala, ndërsa vetëm pas një viti kaloi te Terek Grozny, që sot njihet si Akhmat Grozny.
Në vitet e tij të arta, Berisha ishte një prej figurave kryesore të skuadrës, por vitet e fundit hapësirat për të në fushë u limituan. Megjithatë, dashuria dhe respekti ndaj tij nuk munguan asnjëherë.
Berisha është pjesë e historisë së futbollit kosovar, duke qenë një nga futbollistët që përfaqësoi Kosovën në fillimet e saj si shtet i pavarur në arenën ndërkombëtare.
Në të kaluarën, 33-vjeçari ka luajtur për Besën e Pejës, më pas për Besën e Kavajës dhe Skënderbeun e Korçës, me të cilin fitoi dy tituj kampioni dhe një Superkupë të Shqipërisë.