Slot shpjegon arsyen pse Chiesa nuk po luan te Liverpooli, nuk ka të bëjë me lëndimet
Trajneri i Liverpoolit, Arne Slot ka insistuar se forma fizike nuk është arsyeja e vetme pse Federico Chiesa nuk po arrin të marrë minuta në ‘Anfield’, duke sugjeruar se ai duhet të luftojë me bashkëlojtarët e tij për të siguruar minuta.
Sulmuesi italian ka bërë vetëm katër paraqitje në të gjitha garat që prej ardhjes së tij, teksa hera e fundit kur luajti titullar në një ndeshje ishte në shtator.
Së fundmi, reprezentuesi italian ishte lidhur me një kalim tek Napoli, por Slot ishte i bindur se pjesa e dytë e sezonit do të jetë edhe më e rëndësishme për Liverpoolin dhe ai dëshiron të presë dhe të shohë nëse Chiesa është në gjendje t’i ndihmojë ata.
“Siç kam thënë, çdo ndeshje është një mundësi për çdo lojtar që të marr minuta. Nuk është vetëm për të që ka qenë e vështirë për shkak të gjërave që ju sapo keni thënë”.
“Unë nuk do t’i përsëris sërish këto gjëra, ai gjithashtu duhet të konkurrojë me Cody Gakpo, Luis Diaz, Diogo Jota, Darwin Nunez dhe Mo Salah”.
“Të gjithë këtu i dinë numrat që sjellë Mohamed Salah, nuk ka pasur shumë arsye për ta larguar atë gjatë një ndeshje ose para një ndeshje”.
“Gjithashtu për shkak se ai është në formë të mirë fizike. E kam thënë disa herë më herët, ai ishte lojtari më në formë gjatë parasezonit dhe ai dëshiron të luajë çdo ndeshje”.
“Kështu që nuk ka të bëjë vetëm me Federicon kur po flasim për mundësitë e tij të limituara, por ka të bëjë gjithashtu edhe me të tjerët”, ka thënë Slot. /telegrafi