Ferizaj merr një fitore të madhe ndaj Gjilanit dhe mbyll sezonin vjeshtor jashtë zonës së rënies

Ferizaj merr një fitore të madhe ndaj Gjilanit dhe mbyll sezonin vjeshtor jashtë zonës së rënies

Sport December 21, 2024 - 15:16

Ferizaj ka marrë një fitore të madhe ndaj Gjilanit me rezultat 3-1 në ndeshjen e vlefshme për javën e 18-të në Albi Mall Superligën e Kosovës.

Ekipi i Arsim Abazit i është kthyer fitores në kampionat pas shtatë ndeshjeve duke e mbyllur kështu sezonin vjeshtor në pozitën e barazhit.

Pjesa e parë e ndeshjes u karakterizua me lojë më të mirë të vendasve, të cilët arritën të shënojnë edhe dy gola, për dallim të një goli nga mysafirët.

Goli i parë i ndeshjes erdhi pas vetëm pesë minutave lojë me anë të Marko Musulin, i cili shënoi për epërsinë 1-0.

Gjilani arriti të kthehet në lojë në minutën e 37-të duke barazuar 1-1 me anë të Edi Basa që shënoi nga penalltia, por Enhar Cakolli (39’) dërgoi skuadrën e tij në pushim me epërsi 2-1.

Në pjesën e dytë u zhvillua lojë më e barabartë, por përsëri ishin vetëm vendasit që gjeten golin dhe siguruan fitoren.

Goli i vetëm në këtë pjesë erdhi në minutën e 77-të me anë të Erion Sadriut, i cili shënoi për 3-1 dhe ky doli të ishte rezultati përfundimtar i ndeshjes.

Pas kësaj fitore, Ferizaj e mbyll sezonin vjeshtor në pozitën e tetë me 20 pikë, ndërsa Gjilani renditet i gjashti me 21 pikë.