Chiesa thyen heshtjen pas raportimeve se është i palumtur tek Liverpooli
Federico Chiesa ka thyer heshtjen e tij në rrjetet sociale mes raportimeve se ai është i palumtur tek Liverpooli.
Chiesa ka bërë vetëm tri paraqitje në të gjitha garat që prej se u transferua tek Liverpooli për 12.5 milionë euro gjatë verës.
Lëndimet e kanë penguar aventurën e tij në ‘Anfield’ deri më tani, me raportimet nga Italia që sugjerojnë se lojtari mund të synojë rikthimin në Itali në formë huazimi.
Është raportuar se agjenti i Chiesas tashmë ka biseduar me Interin dhe Romën për një rikthim të mundshëm në Itali, ku është përmendur një periudhë huazimi prej gjashtë muajsh.
Që të dy klubet italiane nuk janë në një pozicion të favorshëm për të blerë përfundimisht kartonin e italianit, por do të donin ta merrnin atë si huazim me obligim blerje gjatë verës.
Sidoqoftë, duket se këto raportime se ai është i palumtur në Angli nuk janë aspak të vërteta, nëse marrim parasysh aktivitetin e tij në rrjetet sociale.
Chiesa ka shpërndarë një fotografi nga seanca e fundit stërvitore ku shihet i buzëqeshur dhe jo si një lojtar i cili nuk është i lumtur aty ku është.
Sidoqoftë, 27-vjeçari nuk do të jetë në dispozicion të Arne Slot për ndeshjen e nesërme (e diel) ndaj Southamptonit, por do të rikthehet në javët në vazhdim. /telegrafi