25 vjet pa humbje, atleti veteran ia sjell Kosovës fitoren e radhës
Sapo është kthyer nga Kampionati i 33-të Ballkanik për Atlet Veteran, i cili është mbajtur në Bar të Malit të Zi.
Në këtë kampionat Kosova ka shënuar një sukses të jashtëzakonshëm me 29 atletët veteranë, me të cilët ka fituar 27 medalje.
Atleti Muhamet Rama ka fituar vendin e parë në tri disiplina në Kampionatin e fundit Ballkanik, ai ka dalë i pari në disiplinën e atletikës, 1000, 800 dhe 400 metra, duke lënë prapa shumë atletë nga vende të ndryshme të Ballkanit, të cilët ishin pjesëmarrës.
Rama, i cili për pak muaj mbush 80 vjeç, ka gati 25 vjet që merr pjesë në garat e atletikës, ndërsa deri tani në të gjitha garat ka dalë i pari.
Atleti veteran ka qenë për vite me radhë pjesë e kampionateve nëpër vende të ndryshme të Ballkanit, duke shënuar suksese në çdo garë ku ka përfaqësuar Kosovën, ndërsa në shumicën prej tyre, përveç Federatës së Atletikës, ka pasur mbështetëse edhe kompaninë “Eurokoha”. /Zëri