“Luftë me media”, taktikë e FFK-së për ta tërheq vëmendjen nga skandalet e saj, thonë analistët
“FFK-ja është në ‘nokdaun’ dhe duhet të reflektojë sa më parë para se të pësojë ‘nokaut’”, thotë analisti i emisionit “Favorit” në T7, Arbër Avdyli. Kurse, analisti tjetër i këtij emisioni, Taulant Dajaku, pohon se FFK-ja me qëllim e hapi një “luftë” me media në mënyrë që ta tërheq vëmendjen nga skandalet e shumta që po i ndodhin FFK-së, Kombëtares së Kosovës dhe futbollit kosovar, nën menaxhimin e Agim Ademit.
Fushata e nisur nga Federata e Futbollit e Kosovës (FFK), e pastaj e vazhduar nga dhjetëra klube të futbollit me komunikata publike, të cilat kanë përmbajtje të një presioni të hapur ndaj mediave, emisioneve sportive, gazetarëve, analistëve dhe panelistëve të tyre, po konsiderohet si “taktikë” e FFK-së dhe kreut të saj, Agim Ademi, nga njohës së rrethanave dhe gjendjes së futbollit kosovar.
Taulant Dajaku – një nga analistët më të njohur në Kosovë, i rregullti i emisionit “Favorit” në T7 – thotë se FFK-ja dhe Agim Ademi me qëllim u hodhën në sulm mbi media në mënyrë që ta hap një “luftë” me media dhe t’i fsheh pas saj skandalet e panumërta që po i ndodhin FFK-së, Kombëtares së Kosovës dhe futbollit.
Fushata e FFK-së ndaj mediave e gazetarëve filloi në ditët kur në futbollin kosovar plasi shumëçka: Humbja nga Rumania, krisja brenda Kombëtares, prej së cilës u përjashtuan tre yje (Edon Zhegrova, Aro Muriç, Florent Muslija), e pastaj autorizimi nga Prokuroria për Policinë që të mbledh informata dhe prova rreth raportimeve për kërcënimin e Agim Ademit ndaj disa lojtarëve të Kombëtarës, të cilëve u kishte thënë, siç ishte raportuar, “Ua thej këmbët, ua prishi karrierën”.
Po ashtu, një tjetër skandal që kishte prodhuar debat ishte stadiumi “Fadil Vokrri”, në fushën e së cilit ishin investuar 1.3 milion euro. Agim Ademi kishte thënë se fusha është shumë e mirë, e vetëm pas pak ndeshjeve dhe pas disa ditësh stadiumi u mbyll sërish edhe për një kohë, pasi u konstatua se fusha nuk është në rregull.
Ish futbollisti i njohur, tash analist i emisionit shumë të ndjekur në Kosovë, “Favorit” në T7, Taulant Dajaku, thotë se FFK po kamuflon duke prodhuar debate artificiale.
“Është një situatë që s’ka ndodh as s’ndodh askund në botë, mendoj se gjithë reagimet pavetëdijshëm kanë devijuar gjithë esencën e debatit, që do duhej të ndodhte mbi futbollin dhe është kthyer në një debat ne mes opinionit te dikujt qe s’ka asnjë dorë në vendim marrje. Por thjesht thotë një këndvështrim të vetin mbi disa gjëra me të cilat as unë s’pajtohem por nuk më pengon shumë (Batoni) dhe personalizimi i Federatës nga një individ si Agimi që edhe pse ka në dorë çdo vendim mbi futbollin tenton që përmes krijimit të një diskursi publik apo konfliktit me individ të jashtëm tenton te fsheh keq menaxhimin skandalet e ndodhura dhe arsyen e mossuksesit të Kosovës, të thuash se Kosova ka mossukses se kritika publike është e madhe kur dihet se njerëzit që thonë opinionin s’marrin vendime por vendimet i merr Agimi është çmenduri e llojit te vet”, deklaroi Dajaku për Gazetën Express.
“Ndoshta kjo gjë edhe ‘hahet nga një pjesë që janë klientët’ e keqpërdorimeve por nuk do të thotë që masa e njerëzve dhe institucionet duhet të bien pre e mashtrimit ose tendencës se kamuflimit të dështimeve duke krijuar debate artificiale vetëm për të shmang daljen cullak’ të vërtetave të keq menaxhimit”, theksoi Dajaku.
Edhe analisti tjetër i emisionit “Favorit” në T7, gazetari dhe komentatori me përvojë shumëvjeçare, Arbër Avdyli, thotë se është e mundur që FFK po prodhon tema tjera për ta tërhequr vëmendjen e opinionit dhe mediave nga problemet serioze të futbollit. Por, ai thotë se FFK e ka humbur këtë “luftë” ende pa e nisur.
“Mund të jetë pasi që nuk është hera e parë që po ndodh. Ka qenë një reagim plotësisht amatoresk dhe FFK duke qenë në presion po bën gabime njëra pas tjetrës. Nuk mundesh me ua mbyll gojën gazetarëve. Ka kaluar moti ajo kohë. Dhe duhet ta dinë se nuk mund ti blejnë te gjitha mediat apo gazetarët për vete”, thekson Avdyli.
Ai lavdëron FC Prishtinën dhe Dritën FC që nuk iu nënshtruan FFK-së dhe Agim Ademit. “Në kurthin e FFK-së së fundmi ranë edhe klubet të cilat reaguan në mënyrë amatoreske duke kopjuar tekstin e njëra tjetrës dhe vërtet ishte një reagim qesharak ai i klubeve që pa menduar mirë u rreshtuan pas numrit 1 te FFK-së. Këtu duhet duartrokitje për FC Prishtina dhe FC Drita që nuk iu bashkëngjiten reagimeve ‘copy paste’ të klubeve kosovare të futbollit”, tha Avdyli për Express.
Sipas tij, FFK-ja ka rënë në “nokdaun”. “Por unë mendoj se FFK e ka të humbur këtë beteje ende pa e filluar. Ajo duhet të reflektojë dhe të fillojë me reforma të thella brenda shtëpisë se vet sepse skandalet po i radhit njërën pas tjetrës. Po shihet qartë se FFK-ja është në një lloj ‘nokdauni’ dhe duhet të reflektojë sa më parë para se të pësojë ‘nokaut’”. /GazetaExpress/