Pas Prekazit, ekipi i xhudos viziton edhe Gllogjanin [foto]
Pas Prekazit, Driton Kuka me Distria Krasniqin, Laura Fazliun dhe ekipin kosovar të xhudos vizituan edhe një vend tjetër historik.
Medaljet e fituara nga Lojërat Olimpike të Parisit ata i dërguan edhe në Gllogjan.
Ata bënë homazhe pranë varrezave të dëshmorëve të kombit.
“Gllogjani për ne në Dukagjin ishte vendi i shenjtë ku lufta shënonte beteja të ashpra për lirinë e vendit tonë! Sot ekipi ynë qëndroj për homazhe në varrezat e Dëshmorëve në Gllogjan! Na mirëpriti njeriu kyç i luftës Ramushi me bashkëluftëtar, për të dëgjuar për heroizmin e pashoq! Lavdi”, shkroi Driton Kuka.
Kurse, kreu i AAK-së, Ramush Haradinaj është shprehur i lumtur që ka pritur në Gllogjan ekipin e xhudos, ku theksoi se edhe i ka përgëzuar për suksesin e arritur.
“Faleminderit Driton Kuka, Majlinda, Distria, Laura, Nora, Akil dhe Loriana! Nderuat Kosovën dhe të gjithë shqiptarët”, ka shkruar ndër të tjerash Haradinaj në fotografitë që ka publikuar në profilin e tij zyrtar në rrjetin social Facebook. /Zëri