Pas humbjes nga Hungaria, Foda: Performancën që bëmë për 60 minuta, duhet të mësohemi ta bëjmë për 90 minuta
Kosova u mposht nga Hungaria në një ndeshje miqësore.
Ndeshja e zhvilluar në stadiumin “Puskas Arena” përfundoi me rezultat 2-0.Të dy golat i shënoi Szoboszlai ((58’) dhe (86’).
Kosova pati paraqitje më të mirë kundër hungarezëve në fraksionin e parë të ndeshjes ku po ashtu vlen të theksohet se Edon Zhegrova pati një rast të jashtëzakonshëm shënimi nga distanca, mirëpo topi shkoi jashtë portës.
Pas ndeshjes ka folur trajneri i Kosovës, Franco Foda, ku u shpreh i kënaqur me paraqitjen për 60 minuta, teksa shtoi se ka mundësi që të përmirësohen.
“Deri në minutën e 60-të isha shumë i kënaqur. Në pjesën e parë kishim mundësitë më të mira për shënim. Por, në pjesën e dytë pranuam gol që nuk bën të pësohet në këto nivele. Pas pësimit të një goli të tillë kishte edhe 30 minuta dhe mund të barazonim. Më pas pësuam edhe të dytin dhe ndeshja mbaroi. Lojtarët patën mundësinë të tregonin veten. Jam i kënaqur me secilin lojtar, edhe me ata që erdhën nga banka. Kemi mundësi të përmirësohemi”, tha fillimisht Foda.
“Skuadra u mundua t’i zbatonte urdhrat dhe ato që u kërkova unë. Bëmë presing, fituam shumë topa dhe krijuam raste. Ndonjëherë kemi humbje të lehta të topit, si te goli i parë. Nuk duhet të ndodhë një gjë e tillë. Performancën që bëmë për 60 minuta, duhet të mësohemi ta bëjmë për 90 minuta, por nuk jemi ende në atë nivel. Kjo është shumë e rëndësishme, duhet të përmirësohemi në këtë drejtim. Për të arritur kualifikimet në Botëror apo Evropian, ne duhet të performojmë për 90 minuta. 60 minuta nuk mjaftojnë”, deklaroi Foda. /Zëri