FFK-ja ende nuk e publikon statutin e ri, të cilin e aprovoi kuvendi i saj më 27 janar

FFK-ja ende nuk e publikon statutin e ri, të cilin e aprovoi kuvendi i saj më 27 janar

Sport February 01, 2023 - 17:12

Edhe pse në Kuvendin e Jashtëzakonshëm të Federatës së Futbollit të Kosovës është miratuar statuti i ri që pesë ditë, FFK-ja ende nuk e ka publikuar atë në faqen zyrtare të saj.

Komiteti Ekzekutiv i FFK-së sot mbajti mbledhje ku diskutoi për miratimin e statutit të ri, duke thënë se me të federata i ka përmbushur kriteret dhe kushtet e Komisionit për Licencimin e Federatave Sportive pranë MKRS-së, megjithatë të njëjtin statut deri tani nuk e ka publikuar në web-faqen e tyre.

As draft-statuti nuk ishte publikuar, por ai u ishte dërguar vetëm delegatëve, shkruan Gazeta Express.

Ky statut pati vërejtje dhe u cilësua skandaloz nga shumë njerëz, por u miratua në Kuvendin e 27 janarit.

FFK ka thënë se me këtë statut do të përmbushen vërejtjet e komisionit të Ministrisë, i cili mbetet të shihet se a do vlerësojë nëse FFK i ka plotësuar mangësitë me statutin e ri apo jo.

Përpos vërejtjeve statutore komisioni kishte edhe vërejtje tjera. Ka kërkuar kontratë pune mes FFK-së dhe sekretarit Taulant Hodaj, kurse për Ademin ka vlerësuar se nuk mund të jetë kryetar për shkak se është në proces gjyqësor për vepër penale.