Ejupi: Shteti ka bërë mjaftueshëm për sportin, radha është që FFK-ja të plotësojë kriteret e kërkuara

Ejupi: Shteti ka bërë mjaftueshëm për sportin, radha është që FFK-ja të plotësojë kriteret e kërkuara

Sport January 29, 2023 - 22:22

Anëtari i Bordit të klubit futbollistik, “Prishtina”, Remzi Ejupi, ka folur sot për situatën e fundit në sportin vendor, duke përmendur fillimisht angazhimin e tij të para disa viteve, që Kosova të bëhej me ligjin për sponsorisim në sport.

Ejupi tha se ka bërë shumë për sportin vendor për çka është angazhuar që nga viti 2004, ndërsa një nga sukseset në këtë angazhim e përmendi ligjin për sponsorisim, për çka ishte angazhuar në vitin 2015, duke marrë si model Gjermaninë.

“Jam në futboll që nga vitit 2004 mendoj se kam bërë mjaftueshëm për futbollin, por nuk jam dorëzuar e as nuk dorëzohem. Kam bërë shumë që të pranohet kartoni i lojtarëve, tash nuk mund askush të shfrytëzoj lojtarët, po ashtu ligjin për sponsorizim, në vitit 2015 jam angazhuar që të sjell modelin më të mirë sic është Gjermania, e kemi marr atë model dhe kemi sjell këtu, kanë pas mirëkuptim edhe ata që kanë qenë në komision, të cilët i falënderoj si Nait Hasani, Bekim Haxhiu etj. Kemi ardhur në situatë kur ligji ka kaluar dhe shfrytëzohet dhe tash të vin disa persona dhe mundohet ta dëmtojnë gjithë këtë arritje”, ka thënë Ejupi në emisionin sportiv “AS” në RTK, transmeton Zeri.info.

Ai tha se shteti ka bërë mjaftueshëm për sportin, ndërsa tash është radha që FFK-ja të plotësojë kërkesat për licencim, ose në të kundërtën përmendi dëme të mëdha që mund t’i shkaktohen sportit vendor.

“Shpresoj që të gjejnë një gjuhë të përbashkët edhe FFK dhe Ministria dhe të kalohet dhe nëse kjo bllokohet do të jetë katastrofë për futbollin vendor”.

“Mendoj që shteti ka bërë boll, përveç në infrastrukturë, pas pranimit në FIFA dhe UEFAS është gjëja më e mirë ligji për sponsorisim, këtë nuk e kanë as shtetet në rajon. Shteti ka të drejt të kërkojë standarde të cilat duhet të plotësohen, besoj që do t’i plotësojë. Shteti ka bërë shumë duke pranuar ligjin për sponsorim me 30%”, tha Ejupi. /Zëri