Skitarja austriake zyrtarisht do ta përfaqësojë Kosovën në Lojërat Olimpike Dimërore

Skitarja austriake zyrtarisht do ta përfaqësojë Kosovën në Lojërat Olimpike Dimërore

Sport January 25, 2023 - 20:49

Në një ceremoni të organizuar në Trieste të Italisë, ku po qëndrojnë drejtuesit e KOK-ut për garat e EYFO-it dimëror 2023, është nënshkruar kontrata mes Federatës Skitare të Kosovës dhe skitares Sophie Sorschag.

24-vjeçarja garon në kërcime me ski, disiplinë në të cilën është kampione e botës në ekipore me Austrinë, shtet për të cilin ka garuar deri në Lojërat Olimpike Dimërore Pekini 2022.

Në ceremoni ishin drejtuesit e KOK-ut me presidentin Ismet Krasniqi, kryetari i FSK-së, Milaim Kelmendi, njëherit nënpresident i KOK-ut, skitarja Sorschag, trajneri i saj, Jure Radelj, prindërit e Sorschag dhe miq sllloven të cilët ndihmuan në arritjen e kësaj marrëveshje.

Sorschag u shpreh krenare që do të ketë mundësinë të garojë për Kosovën, për çka falënderoi të gjithë për mikpritjen e ngrohtë, e po ashtu trajnerin dhe familjen që e kanë mbështetur në këtë vendim.

Presidenti Krasniqi e kryetari Kelmendi vlerësuan lartë arritjen e marrëveshjes, duke thënë se tani e tutje kemi shpresa për të fituar medalje olimpike edhe në Lojërat Olimpike Dimërore, derisa i ofruan mbështetje në rrugën drejt arritjes së qëllimeve.

Falënderues dhe të emocionuar u shprehën edhe trajneri i saj, Radelj, dhe babai i saj, Michael Sorschag.