Flamurtari mposht Penzën në Ligën Unike te femrat

Flamurtari mposht Penzën në Ligën Unike te femrat

Sport November 30, 2022 - 20:22
Lajmet e fundit nga Sporti

Flamurtari ka regjistruar fitoren e dytë në Ligën Unike, duke mundur Penzën me rezultat 72:62 (12:11, 19:18, 19:8, 22:25). Për vashat pejane ishte humbja e dytë në këtë edicion të kësaj gare.

Skuadra vlonjate e nisi ndeshjen më mirë me një seri prej 8:2, por më pas rikthehen mysafiret duke afruar shifrat në 12:11, sa përfundoi çereku i parë. Edhe periudha e dytë ishte e barabartë, ndërsa skuadrat shkuan në pushim me shifrat 31:29.

Perioda e tretë ishte vendimtare e kësaj sfide. Në këtë pjesë vendaset ishin shumë më të mira, ndërsa gabimet e skuadrës pejane u kushtuan shumë, ku rezultati pas 30 minutash ishte 50:37. Kampionet e Kosovës tentuan rikthimin e madh në dhjetë minutat e fundit, ku afruan shifrat në 64:62, por nuk arritën përmbysjen e madhe dhe pësuan 72:62.

Te Flamurtari u dalluan Samra Omerbasiq me 18 pikë e tetë kërcime dhe Benally me 18 pikë, gjashtë kërcime e gjashtë asistime, ndërsa te Penza u dallua Beginisiq me 14 pikë e dhjetë kërcime. /Zeri.info