![Kosova, kombëtarja e dytë më e shtrenjtë në Grupin I](/uploads/zeri.info/images/2020/April/23/auto_auto_auto_auto_Kosova_21559909349157219202215873318291587639089.jpg)
Kosova, kombëtarja e dytë më e shtrenjtë në Grupin I
Kombëtarja e Kosovës është vendosur në Grupin I për kualifikimet e Evropianit 2024, ku do të ketë përballje me pesë kombëtare tjera – Zvicrën, Izraelin, Rumaninë, Bjellorusinë dhe Moldavinë.
Nga këto ekipe favorite nga shumëkush konsiderohet kombëtarja e Zvicrës, ndërsa për pozicionim në vendin e dytë, shumë analistë e përzgjedhin Kosovën, raporton Zeri.info.
E kjo nuk ka se si të jetë ndryshe, pasi edhe vlera e kombëtareve është në këtë renditje.
Nga 6 ekipet e Grupit I, Zvicra është më e shtrenjta – e vlerësuar në Transfermarket me 192.2 milionë euro.
Pas saj, gjithnjë sipas vlerësimeve të faqes në fjalë, vjen Kosova me 81.65 milionë euro.
Ndërsa e treta, e vlerësuar me rreth 5 milionë më pak se Kosova, është Rumania – 76.35 milionë euro.
Izraeli dhe Moldavia vlerësohen me 19.25 milionë euro, respektivisht 12.65 milionë euro, kurse Andorra me vetëm 1.68 milionë euro.
Kujtojmë se Rumania dhe Bjellorusia nuk e njohin pavarësinë e Kosovës. Deri më tani, Kosova nuk ka pasur ndonjë përballje futbollistike me Rumaninë dhe nuk dihet se si do të veprohet në këtë rast.
Nga Federata rumune e futbollit kanë thënë se kjo çështje do të diskutohet me Qeverinë e vendit, ndërsa është propozuar edhe mosrealizimi i dy ndeshjeve me Kosovën. Në rast të kësaj të fundit, Kosova do t’i fitojë këto dy ndeshje me rezultat zyrtar prej 3-0.
Ndeshjet e para të kualifikuesve për Kampionatin Evropian do të fillojnë në mars 2023. /Zëri