Kosova të premten luan kundër Ukrainës në futsall

Kosova të premten luan kundër Ukrainës në futsall

Sport October 05, 2022 - 16:38
Lajmet e Fundit nga Sporti

Kombëtarja e Kosovës në futsall më 7 tetor do ta zhvillojë ndeshjen e dytë në kuadër të fazës “Main Round” në kualifikimet e Botërorit 2024. Pas humbjes me rezultat të ngushtë si mysafirë ndaj Holandës në Roterdam, Dardanët e futsallit, të premten në Letoni, do të përballen me Ukrainën.

Të përzgjedhurit e Arben Simitçiut tash e disa ditë janë duke u përgatitur për këtë ndeshje, teksa ai shpreson në rezultat pozitiv. “Kemi pasur një grumbullim shumë të mirë. Atmosfera është shumë e mirë. Djemtë kanë punuar me zell.

Do t’i kemi edhe dy stërvitje në Letoni dhe atje do të punojmë ende në aspektin taktik. Ukraina është një prej ekipeve që i kam përcjellur më së shumti, sepse është një prej 5-top kombëtareve evropiane dhe në çdo kampionat evropian apo botëror arrijnë deri në gjysmëfinale.

Por, ne udhëtojmë për t’i befasuar ata. Nëse luftojmë siç kemi luftuar kundër Holandës mund të arrijmë befasojmë“, ka theksuar Simitçiu. Edhe kapiteni Jeton Rukovci, është shprehur optimist për paraqitje të mirë.

“Po shpresojmë se do të paraqitemi të paktën si kundër Holandës, por kësaj radhe edhe të nxjerrim rezultat pozitiv. Për dallim nga hera e kaluar, tani kampionati ka filluar edhe në Kosovë dhe lojtarët janë në formë të mirë“, ka thënë ai.

Ekspedita e Kombëtares së Kosovës udhëton të mërkurën drejt Letonisë.