Remzi Ejupi: FFK-ja i mori 60 milionë euro nga UEFA e FIFA dhe 10 milionë veç nga biletat, le të bëjë zgjidhje për stadium

Remzi Ejupi: FFK-ja i mori 60 milionë euro nga UEFA e FIFA dhe 10 milionë veç nga biletat, le të bëjë zgjidhje për stadium

Sport October 03, 2022 - 10:39

Donatori i vjetër i futbollit kosovar, Remzi Ejupi, u është kthyer akuzave ndaj Federatës së Futbollit të Kosovës dhe kryetarit të saj, Agim Ademi.

Aksionari i madh i FC Prishtinës ka folur rreth stadiumit “Fadil Vokrri”, të cilin po e shfrytëzon FFK-ja për ndeshje ndërkombëtare dhe Prishtina po pengohet vazhdimisht të luajë ndeshje kampionale.

Ejupi ka deklaruar se FC Prishtina nuk do të tërhiqet më nga stadiumi i kryeqytetit, pasi sipas tij klubi bardhekaltër prej vitesh po dëmtohet si financiarisht, ashtu edhe në rezultate, duke luajtur larg Prishtinës, për ta lënë stadiumin në shfrytëzim të ndeshjeve ndërkombëtare, pasi Kosova nuk ka tjetër stadium që i plotëson kushtet e UEFA-s.

Ejupi ka theksuar se kjo tolerancë e Prishtinës nuk mund të vazhdojë pafundësisht dhe të dëmtohet vetë, duke u dalë në ndihme të tjerëve.

Ai tha se FFK-ja deri tash i inkasuar mbi 60 milionë euro nga UEFA e FIFA e rreth 10 milionë tjera vetëm nga shitja e biletave të Kombëtares, pa i llogaritur të hyrat tjera, andaj tash ka mundësi të bëjë zgjidhje tjetër pa e dëmtuar FC Prishtinën.

“Ditën e premte morëm vesh që na është kërku me lujt jashtë. Është bë praktikë e keqe nga Federata. E kemi refuzu, futbolli luhet për tifozë, luhet për “Plisat”. Ishte e papranueshme sepse Prishtinës i takon të luajë në kryeqytet në stadiumin e vet. Nuk do të ndërrojmë qëndrim. Nuk është vetëm vendim i kryesisë, por edhe i tifozëve. Nuk është e lehtë që vazhdimisht të udhëtohet. Ne jemi të detyruar që të luajmë në Prishtinë. Kombëtarja nuk është e një personi, nuk është e Agim Ademit. Me dëshirë shumë të madhe për kombëtaren kemi bërë kompromise, jo vetëm për të por për të gjitha ekipet që luajnë jashtë. Kësaj radhe jo, ka një kontratë deri në vitin 2024 që Prishtina ta menaxhojë stadiumin e Prishtinës. Federata është dashtë të mendojë të ndërtojë një stadium. Ka inkasuar nga FIFA dhe UEFA mbi 60 milionë euro. Nëse nuk mundet të luajë para tifozëve të vet, nuk ka kuptim që Prishtina të ekzistojë fare”, tha Ejupi në KTV.

Ai me një fjalor të ashpër e ka akuzuar edhe kreun e FFK-së Agim Ademin, të cilin e ka quajtur edhe uzurpator.

“Nga një badigard në kryetar federate. Neve Qeveria e Kosovës na ka pas dhënë tokën në shfrytëzim për ndërtimin e qendrës sportive, ai ka ardh në ate tokë ka ozurpuat duke i ndërtuar dy fusha për klubin e tij privat. Ai njihet për ozurpime. E kemi njoftu Policinë, inspektoeiatin, por ai ashtu ka vazhduar dhe vazhdoj të na pengojë. Tani jemi ne gjyq me të”, potencoi Ejupi.

Në fotografitë më poshtë mund të gjeni projektin e propozuar për 22.000 ulëse!

Image
Image
Image
Image