“Plisat”: FFK në krye me Agim Ademin kanë për qëllim manipulimin e zhvillimit të futbollit

“Plisat”: FFK në krye me Agim Ademin kanë për qëllim manipulimin e zhvillimit të futbollit

Sport October 01, 2022 - 22:36
Lajmet e fundit nga Sporti

Tifo grupi i Prishtinës ‘Plisat’ kanë reaguar ashpër ndaj vendimit të Federatës së Futbollit të Kosovës (FFK) për mos lejimin e zhvillimit të ndeshjes mes Prishtinës dhe Trepçës’89 në ‘Fadil Vokrri’. Ata kanë thënë se FFK në krye me Agim Ademin nuk e kanë qëllim zhvillimin e futbollit, por manipulimin e tij.

Plisat në një postim në Facebook pretendojnë se njerëzve në Federatë u pengon fakti se klubet e tjera janë shumë larg sukseseve 1 shekullore të Prishtinës.

”Njerëzve në Federatë, bashkë me grupe tjera të interesit në Kosovë, u pengon fakti që secili klub, secili qytet, e secili njeri është shumë larg prej sukseseve tashmë 1 shekullore të Prishtinës, andaj shpikin e krijojnë lloj-lloj kriteresh, të cilat ÇUDITËRISHT – VLEJNË VETËM PËR PRISHTINËN!!!,” thuhet në postimin e tyre.

Në fund, ata bëjnë thirrje që të anulohet ky vendim ‘skandaloz’, e të ju lejohet klubit të tyre të zemrës të luajnë në stadiumin ‘Fadil Vokrri’.

Sot gjatë ditës si Prishtina ashtu edhe Trepça’89 njoftuan se ndeshja e javës së nëntë mes këtyre dy skuadrave është shtyrë për një afat të pacaktuar.