Zotëri Infantino, a e dini ku u investuan miliona eurot tuaja në Kosovë?

Zotëri Infantino, a e dini ku u investuan miliona eurot tuaja në Kosovë?

Sport September 30, 2022 - 15:35
Lajmet e fundit nga Sporti

Presidenti i FIFA-s, Gianni Infantino, po e viziton Kosovën për herë të parë këtë të premte për t’u takuar me krerët e Federatës së Futbollit të Kosovës dhe liderët e shtetit, por ai nuk do të jetë në gjendje të shohë ndonjë investim të mirëfilltë të parasë së shtëpisë së futbollit botëror në Kosovë.

Vizita e Infantinos ishte e para e një presidenti të shtëpisë së futbollit botëror në Kosovë dhe FFK-ja njoftoi ditë më parë se ai po vinte për t’i parë nga afër projektet dhe investimet e saj në futbollin vendor.

Së pari, Infantino është duke e bërë një varg vizitash nëpër shtetet anëtare të FIFA-s javët e fundit, të cilat vijnë në prag të zgjedhjeve presidenciale në shtëpinë e futbollit botëror vitin e ardhshëm.

E dyta, nuk ka të bëjë me investime, sepse të tilla nuk ka.

Çfarë zhvillimesh mund të shohë në Kosovë shefi i FIFA-s?

Federata e Futbollit e Kosovës merr miliona euro ndihmë nga FIFA dhe UEFA çdo vit dhe ka mundësinë e aplikimit për projekte të ndryshme financimi në dy shtëpitë e futbollit botëror dhe evropian, përkatësisht.

Por investimet nuk janë parë dhe zhvillimi i infrastrukturës së futbollit ka ngecur dukshëm.

Dhe Infantino, përveç një vizite te shtatorja e legjendës Fadil Vokrri dhe stadiumit që mban emrin e tij në kryeqytet dhe takimeve me presidenten Vjosa Osmani e kryeministrin Albin Kurti, nuk ka mundur ta vizitojë asnjë projekt ose investim serioz të FFK-së. Thjesht sepse nuk ka të tillë.

Nga 8.9 milionë euro ndihmë nga UEFA dhe 3 milionë euro ndihmë nga FIFA vetëm në vitin e fundit, FFK-ja nuk investuar asgjë, përveç një ndihme prej 1.5 milion euro klubeve anëtare, sipas të dhënave të auditorit për vitin 2021.

Klubet kosovare përballen me telashe serioze infrastrukturore dhe financiare dhe shumica dërrmuese e tyre nuk kanë as stadium të kategorisë më të ulët për t’i zhvilluar ndeshjet në ligën elitare kosovare.

Drita dhe Gjilani, dy prej klubeve më të mëdha në vend, kanë mbetur pa stadium që dy sezone, pasi rindërtimi i tij është ndërprerë dhe FFK-ja nuk i ka dalë në ndihmë.

Prishtina, për shumë klubi më i madh kosovar, është në konflikt me FFK-në për stadiumin “Fadil Vokrri”, i cili me kontratë i takon klubit bardhekaltër, por aty është vendi i vetëm ku Kombëtarja e Kosovës mund t’i zhvillojë ndeshjet ndërkombëtare. Sa i përket projektit të shumëpërfolur për ndërtimin e një stadiumi kombëtar, ai është harruar edhe pse parashihej të ndërtohej deri në vitin 2021.

Së fundmi, Malisheva u ankua se futbollistët e saj nuk kanë as ku të pastrohen siç duhet pas ndeshjeve dhe ushtrimeve, për shkak të kushteve themelore në stadiumin e saj Liman Gegaj.

Këtë vit, Drenica e rindërtoi stadiumin duke i shtuar ulëse, por pa asnjë ndihmë financiare nga FFK-ja.

Gjithsesi, Federata e Futbollit e Kosovës është tejet jotransparente në punën e saj, saqë publiku dhe madje as klubet e veta anëtare nuk njoftohen për marrëveshjet e saj për sponsorizim e të tjera.