Zyrtare: Prishtina dhe Ibrakoviqi ndërprejnë bashkëpunimin
Foto:Laura Hasani

Zyrtare: Prishtina dhe Ibrakoviqi ndërprejnë bashkëpunimin

Sport May 14, 2022 - 22:03
Lajmet e fundit nga Sporti

FC Prishtina dhe trajneri nga Bosnje e Hercegovina, Abdulah Ibrakoviq e kanë ndërprerë bashkëpunimin.

Kështu është konfirmuar nga faqja zyrtare e klubit nëpërmjet një postimi në rrjetet sociale.

Klubi nga kryeqyteti dhe "timonieri" Ibrakovic janë ndarë me marrëveshje të dyanshme. 

Ibrakoviq iu bashkua Prishtinës që nga 17 nëntori i vitit të kaluar. 

Trajneri që e udhëhoqi Prishtinën nga xhiroja e 14-të në Superligë, u largua nga klubi kryeqytetas pas ndeshjes me Ulpianën.

51-vjeçari ishte në krye të skuadrës në 26 ndeshje zyrtare në BKT Superligë dhe në kuadër të Kupës së Kosovës. Në Superligë ka arritur nëntë fitore, katër barazime dhe tetë humbje.

Sa i përket ndeshjeve për Kupën e Kosovës në rrethin e parë e ka mposhtur Besën kurse në rrethin e dytë Drenicën. Në çerekfinale e eleminoi Ballkanin dhe në gjysmëfinale u përball me Llapin, të cilin e mposhti në ndeshjen e pare, kurse në atë kthyese humbi dhe nuk arriti në finale.

Prishtinën në dy ndeshjet e radhës, ndaj Dritës dhe Llapit do ta drejtojë Debatik Curri, i cili deri më tash e ka ushtruar rolin e ndihmës-trajnerit. 

Prishtina ndodhet e pesta në tebelë me 48 pikë të grumbulluara. /Zeri.info