Gjokoviqi humb apelin, pritet dëbimi i tij nga Australia

Gjokoviqi humb apelin, pritet dëbimi i tij nga Australia

Sport January 16, 2022 - 08:16

Shpresat e Novak Gjokoviqit për të luajtur në Australian Open u shkatërruan të dielën pasi një gjykatë hodhi poshtë ankesën e yllit të tenisit kundër urdhrit për dëbim.

Tre gjyqtarë të Gjykatës Federale në Australi lanë në fuqi vendimin e marrë të premten nga ministri i imigracionit për anulimin e vizës së 34-vjeçarit serb për arsye të interesit publik, raporton AP.

Vendimi ka të ngjarë të thotë që Gjokoviqi, i cili nuk është vaksinuar kundër COVID-19, do të qëndrojë në paraburgim në Melburn derisa të deportohet, transmeton Zeri.info.

Një urdhër dëbimi zakonisht përfshin gjithashtu një ndalim tre-vjeçar të kthimit në Australi.

Ministri e anuloi vizën me arsyetimin se prania e Gjokoviqit në Australi mund të jetë një rrezik për shëndetin dhe “rendin e mirë” të publikut australian dhe “mund të jetë kundërproduktive ndaj përpjekjeve për vaksinimin nga të tjerët në Australi”.

Viza e Gjokoviqit u anulua fillimisht më 6 janar në aeroportin e Melburnit disa orë pasi ai mbërriti për të garuar në Grand Slam-in e parë të vitit 2022.

Një zyrtar kufitar anuloi vizën e tij pasi vendosi që Gjokoviqi nuk kualifikohej për një përjashtim mjekësor nga rregullat e Australisë për vizitorët e pavaksinuar. /Zëri