Fitore e madhe e Kosovës ndaj Danimarkës

Fitore e madhe e Kosovës ndaj Danimarkës

Sport November 28, 2021 - 21:03

Kosova ka shënuar fitore të madhe, duke e mundur Danimarkën 78:73 (19:18, 20:16, 22:13, 18:27), në ndeshjen e vlefshme për kualifikimet e FIBA Eurobasket 2025.

Fillimi i ndeshjes ishte shumë interesant, ku herë njëra kalonte në epërsi e herë tjera dhe ishte një lojë e baraspeshuar që përfundoi 19:18 për vendasit. Dardanët vazhduan me lojë të mirë edhe në periudhën e dytë, edhe pse hasën në rezistencën e danezëve, megjithatë, me përkrahjen e tifozëve, këtë pjesë e fituan 20:16, duke shkuar në pushim me shifrat 38:33.

Dardanët vazhduan me lojë të mirë në periudhën e tretë, ku shkëlqyen, duke rritur epërsinë minute pas minute. Epërsia më e lartë ishte 58:44, ndërsa rezultati në semafor pas 30 minutash ishte 60:46.

Epërsia u rrit edhe më shumë në çerekun e fundit, në 69:50, por danezët nuk u dorëzuan për ta ngushtuar epërsinë në 72:63, katër minuta nga fundi. Epërsia u ngushtua deri në vetëm tri pikë 76:73, megjithatë, Dardanët ishin të përqendruar në fund dhe triumfuan 78:73.

Te Kosova u dalluan Valon Bunjaku dhe Drilon Hajrizi me nga 14 pikë dhe Dardan Berisha me 16.

Kosova ka një fitore dhe një humbje, ndërsa Danimarka një humbje.

Pensionohet Edo

Vlen të theksohet në mes pjesëve është zhvilluar ceremonia e pensionimit të kapitenit legjendar, Edmond Azemi.

Fanellën me numër 4, ia ka dhuruar Kryetari i Federatës së Basketbollit të Kosovës, Arben Fetahu, ndërsa topin e nënshkruar nga basketbollistët e Kosovës, ia ka dhuruar Kryeministri i Kosovës, Albin Kurti, i cili po ashtu e nënshkroi.

Kryeministrit Kurti ia ka dhuruar një fanellë me numrin 1, Kryetari Fetahu, duke e falënderuar për përkrahjen e dhënë. /Zeri.info