Milani mposht Atletico Madridin dhe mban gjallë shpresat për të kaluar tutje në Ligën e Kampionëve

Milani mposht Atletico Madridin dhe mban gjallë shpresat për të kaluar tutje në Ligën e Kampionëve

Sport November 24, 2021 - 23:07
Lajmet e fundit nga sporti

Milani ka shënuar fitoren e parë në Ligën e Kampionëve për këtë sezon, shkruan Zeri.info.

Në ndeshjen e xhiros së pestë dhe të parafundit në Grupin B, skuadra e Stefano Piolit fitoi në udhëtim te Atletico Madridi.

Ndeshja e zhvilluar sonte në ''Wanda Metropolitano'', përfundoi me rezultatin 0-1.

Golin e vetëm dhe të fitorës për mysafirët e shënoi Junior Messias, në minutën e 87-të.
Pas kësaj fitore, Milani ka katër pikë dhe tani renditet i treti në grup, me pikë të njëjta me Atletico Madridin e pozitës së fundit.

Porto ka pesë pikë dhe renditet i dyti, teksa Liverpooli është i pari me 15 pikë dhe skuadra e vetme nga ky grup që ka siguruar kalimin për në fazën tjetër.

Xhiro e gjashtë dhe e fundit në Grupin B do ta përcaktojë edhe skuadrën e pozitës së dytë, e cila gjithashtu siguron kalimin tutje.

Milani do ta presë në ''San Siro'' Liverpoolin, kurse Atletico Madridi do të luajë në udhëtim te Porto. /Zeri.info