Fazlija: Nuk i trembemi Norvegjisë!

Fazlija: Nuk i trembemi Norvegjisë!

Sport September 20, 2021 - 22:55
DETAJET

Përzgjedhësja e Kosovës në futboll në konkurrencën e femrave, Afërdita Fazlija, ka deklaruar në konferencën për media se nuk kanë frikë nga Norvegjia, e cila në javën që shkoi e mposhti Armeninë 10:0.

Sipas saj, Kosova është përgatitur maksimalisht për përballjen me norvegjezet. Ndërsa, Fazlija e pranon se Kosova do të luajë lojë defanzive ndaj Norvegjisë.

“Ne luajmë futboll të bukur dhe të hapur, por ndaj Norvegjisë duhet të luajmë lojë defanzive me sistemin, 5-4-1. Norvegjia ka përgatitje të mirë fizike, por edhe e qarkullon shumë mirë topin. Megjithatë, ne e kemi analizuar lojën e kundërshtarit dhe besoj se do të bëjmë paraqitje të mirë. Fitorja bindëse e tyre ndaj Armenisë nuk na tremb. Do të mundohemi që me lojë të disiplinuar ta neutralizojmë kundërshtarin”, ka thënë ndër të tjera Afërdita Fazlija.

Kosova për ndeshjet kualifikuese për Botërorin e vitit 2023 do të luaj ndaj Norvegjisë në “Fadil Vokrri”, me datë 21 (e martë) nga ora 19:00.