Yjet e “dëbuar” nga Reali

Yjet e “dëbuar” nga Reali

Sport korrik 14, 2015 - 10:19

Real Madridi ka ditur të jetë i pamëshirshëm me disa nga yjet e tij. Iker Casillas ishte rasti i fundit kur një ikonë largohet nga “Los Blancos” në mënyrën më të padëshiruar.

Raste të tilla kishin ndodhur edhe në të kaluarën me Raul-in, Di Maria-n, Ozil-in, por edhe trajnerët, Del Bosque e Heynckes

Iker Casillas nuk u largua në mënyrën më të mirë të mundshme nga Real Madridi. Portieri spanjoll në njëfarë mënyre u “dëbua” nga “Los Blancos”, ndërsa vendosi ta vazhdojë karrierën në Porto, shkruan Zëri.

Kjo nuk ishte hera e parë e as e vetme që klubi nga “Santiago Bernabeu” kryen punë me një ikonë ose një yll, në mënyrë të tillë.

E njëjta gjë i kishte ndodhur edhe legjendës Raul Gonzalez, por edhe ish-trajnerit, Vicente del Bosque, derisa hiç më mirë nuk kishin kaluar as Angel Di María e Mesut Özil.

Lista e ikonave të Realit që u larguan keq nga Bernabeu

- Iker Casillas (2015): Edhe pse konsiderohej pikërisht nga Real Madridi si “portieri më i mirë në histori”, ai u largua kinse për arsye ekonomike. Duket se “Los Blancos” e harruan heroin e tyre dhe çelësin e sukseseve të mëdha, ndërsa ishte akuzuar se kishte ndikuar në largimin e Mourinhos;

- Raúl (2010): Si Iker, edhe ai ishte një ikonë “Blanco”, por ishte akuzuar se ishte një “spiun” i medieve. Ai u largua nga Madridi pas 16 vjetësh, duke iu bashkuar Schalkes. Pa dyshim, Raul meritoi një largim më të mirë nga Reali, pas gjithë atyre që i dha për këtë klub, ku u rrit;

- Vicente del Bosque (2003): Ishte trajneri që e fitoi trofeun e tetë dhe të nëntë të Realit në Ligën e Kampionëve, por kjo nuk i mjaftoi për t’ia garantuar vazhdimin e punës. Klubi njoftoi se nuk do t’ia vazhdonte kontratën, duke shkaktuar zemërim dhe kritika të ashpra. Deri tash, plagët nuk janë shëruar;

- Guti (2010): Mesfushori karizmatik ishte shumë i diskutueshëm kur madrilenët ia hapën dyert e largimit;

- Ángel di María (2014): Ishte i obliguar ta linte klubin, edhe pse ishte i rëndësishëm në futbollin e bukur të ekipit dhe për golat e Cristiano Ronaldos. Shokët e skuadrës protestuan për largimin e tij. Thuhet se presidenti Perez kishte nevojë për ta shitur argjentinasin për të arritur deri tek James Rodriguez;

- Mesut Özil (2013): Florentino Pérez e donte Gareth Balen dhe kjo kishte ndikuar në largimin e mesfushorit turk, një prej lojtarëve më kreativë që kanë luajtur në vitet e fundit në Spanjë. Pa dëshirën e tij, ai u shit në Arsenal;

- Fernando Hierro (2003): Pretendonte ta vazhdonte kontratën për dy vjet, por klubi ia ktheu shpinën. Më pas, ai u rikthyer tek gjiganti spanjoll si ndihmës i Carlo Ancelottit;

- Jupp Heynckes (1998): E fitoi Championsin e shtatë si trajner dhe Kupën e parë në Evropë për Realin pas 32 vjetësh, por i ishte bërë presion në një mënyrë të vrazhdë, siç e ka shpjeguar edhe vetë, për të ndryshuar mjedis;

- Fernando Redondo (2000): Ishte zgjedhur MVP i La Ligas në sezonin 1999-00... Dhe, iu “faturua” Milanit, pa mundur të rezistonte apo ta thoshte fjalën e tij. /Zëri/