Sistemi VAR do të aplikohet në finalen e Superkupës, FFK konfirmon datën dhe vendin e ndeshjes

Sistemi VAR do të aplikohet në finalen e Superkupës, FFK konfirmon datën dhe vendin e ndeshjes

Sport August 05, 2021 - 16:20
Lajmet e fundit nga sporti

Edicioni i ri i garave në futbollin e Kosovës do të nisë me finalen e Superkupës së Kosovës, shkruan Zeri.info.

Në finalen e Superkupës do të takohen kampionia e Kosovës, Prishtina, dhe fituesi i Kupës, Llapi.

Komiteti Ekzekutiv i FFK-së ka mbajtur sot një mbledhje, ku mes tjerash ka njoftuar se kjo ndeshje do të zhvillohet më 17 gusht në stadiumin “Fadil Vokrri”.

Risi është se në këtë ndeshje do të aplikohet sistemi VAR, me të cilin do të vazhdojë aplikimi edhe në ndeshjet e Superligës.

“KE shqyrtoi edhe ecurinë e përgatitjes së aftësimit dhe instalimit të sistemit VAR, duke konstatuar se aftësimi i kuadrit dhe instalimi i VAR-it do të fillojë me ndeshjen e Superkupës, ndërmjet Prishtinës dhe Llapit, e cila do të zhvillohet më 17 gusht në stadiumin “Fadil Vokrri” dhe do të vazhdojë me ndeshjet e Superligës. Me këtë rast KE falënderon ekipin e VAR-it për një angazhim të jashtëzakonshëm në mënyrë që sistemi i VAR-it të fillojë me kohë, e ku FFK-ja është e para në rajon që ka arritur me një kohë rekorde të instalojë këtë sistem që është tepër i dobishëm dhe ndihmesë e madhe për gjyqtarët e që kontribuon në mbarëvajtjen garave” – thuhet në njoftimin e FFK-së. /Zeri.info