Rivalët e Teutës dhe Laçit në play-off të Conference Leagues nëse kalojnë turin e tretë

Rivalët e Teutës dhe Laçit në play-off të Conference Leagues nëse kalojnë turin e tretë

Sport August 02, 2021 - 15:42
Detajet

Grupet e Conference Leagues mund të jenë një realitet jo shumë i largët për Teutën.

Kampionët e Shqipërisë, në rast kualifikimi ndaj irlandezëve të Shamrock në raundin e tretë, i pret një short i favorshëm në fazën “play off”.

UEFA hodhi ditën e sotme goglat për këtë tur, ndeshjet e të cilit do të zhvillohen më 19 dhe 26 gusht.

Durrsakët, në rast kualifikimi ndaj Shamrock, do të duhet të përballen me skuadrën humbëse të çiftit Omonia-Flora Tallin.

Kujtojmë që përballja mes qipriotëve të Omonias dhe estonezëve të Flora Tallin, është e vlefshme për raundin e tretë të Europa League, teksa skuadra që do të eliminohet, shkon në “play off”-in e Conference League.

Ndërkohë, për sa i përket Laçit, skuadra e Shpëtim Duros, në rast të një triumfi tjetër historik ndaj gjigantëve të Anderlecht do të përballen me skuadrën fituese që do të dalë nga çifti Vitesse-Dundalk.