Xhaka shënon dhe gabon te goli i fitores së Chelseat kundër Arsenalit në miqësore

Xhaka shënon dhe gabon te goli i fitores së Chelseat kundër Arsenalit në miqësore

Sport August 01, 2021 - 20:02
Zbuloni detajet

Chelsea e ka mundur 2:1 Arsenalin në miqësoren e rivalëve londinezë të dielën, në të cilën Granit Xhaka shënoi një herë dhe e bëri një gabim trashanik te goli i triumfit të të kaltërve.

Xhaka ishte futur në lojë nga stoli për ta barazuar rezultatin në 1:1 për Arsenalin në fillim të pjesës së dytë në Emirates, pasi Kai Havertz i kishte kaluar të kaltrit në epërsi herët në takim, por një lëshim i mesfushorit kosovar ia dha mundësinë Tammy Abrahamit ta shënojë golin e fitores për Chelsean në çastet e fundit.

Xhaka, i cili është buzë kalimit në Romë, iu bashkua skuadrës së topçinjve në stërvitje me vonesë pasi ishte i zënë me Zvicrën në Euro 2020.

Havertz e theu akullin duke e kaluar Chelsean në epërsi për herë të parë në minutën e 26-të. Ylli gjerman e mposhti portierin Leno me një goditje të fuqishme me këmbën e djathtë brenda zonës, pas një kundërsulmi të shpejtë.

Xhaka e zëvendësoi Thomas Partey-n në minutën e 40-të, i cili u detyrua ta braktisë fushën pas një lëndimi, për ta ndryshuar rrjedhën e lojës për topçinjtë.

Mesfushori i Zvicrës e barazoi rezultatin në minutën e 69-të, kur kërceu më së larti në zonën e Chelseat për ta mposhtur me një goditje me kokë portierin Kepa.

Por ai e bëri një lëshim në çastet e fundit të miqësores, kur e lejoi një pasim të Hector Bellerinit në drejtim të tij të kaloi pranë zonës dhe në rrugën e Abrahamit, i cili nuk e pati të vështirë të shënojë nga vendi për fitoren e Chelseat.

Arsenali do ta nisë sezonin e ri në Premierligë më 13 gusht kundër Brentfordit, ndërsa Chelsea më 14 gusht, vetëm një ditë më vonë, kundër Crystal Palace.