Kosova dhe Irlanda ballafaqohen të shtunën në gjysmëfinale

Kosova dhe Irlanda ballafaqohen të shtunën në gjysmëfinale

Sport July 23, 2021 - 14:15
Lajmet e fundit nga sporti

Basketbollistet e Kosovës A të shtunën (nesër) do të përballen me Irlandën në gjysmëfinale të Kampionatit Evropian për Shtete të Vogla. Takimi do të zhvillohet nga ora 16:00, në Qipro, aty ku po zhvillohet ky Kampionat.

Kosova ishte në Grupin B, ku përfundoi e dyta, me një fitore ndaj Qipros 68:70 dhe një humbje nga Luksemburgu 65:94. Luksemburgu përfundoi në vendin e parë në grup me dy fitore, kurse Qipro e fundit me dy humbje.

Ndërkohë, Irlanda ka shënuar dy fitore në grupin e saj, duke mundur Andorrën 104:33 dhe Maltën 48:78.

Për Kosovën A kjo është hera e parë që paraqitet në një garë ndërkombëtare. Edhe pse takimi ndaj Irlandës vlerësohet i vështirë, nuk mungon motivimi në kampin e Kosovës.

Kosova pas dy ndeshjeve në dy ditët e para, po stërvitet që të jetë sa më e gatshme për ndeshjen përballë vashave irlandeze.

Gjysmëfinalja tjetër është mes Luksemburgut dhe Maltës, që zhvillohet të shtunën nga ora 19:00. Ndeshja finale dhe ajo për vendin e tretë zhvillohen të dielën. /Zeri.info