Belgjika fiton me përmbysje ndaj Danimarkës dhe siguron kalimin tutje në “Euro 2020”

Belgjika fiton me përmbysje ndaj Danimarkës dhe siguron kalimin tutje në “Euro 2020”

Sport June 17, 2021 - 19:54
Lajmet e fundit nga sporti

Kombëtarja e Belgjikës e ka fituar edhe ndeshjen e dytë në grup, për të siguruar kështu kalimin tutje në “Euro 2020”, shkruan Zeri.info.

Pas fitores ndaj Rusisë, belgët kanë shënuar fitore edhe ndaj Danimarkës.

Ndeshja e zhvilluar në “Parken Stadium” ka përfunduar me rezultatin 1-2.

Danezët arritën që ta mbyllin pjesën e parë me epërsi minimale, falë golit të shënuar nga Yussuf Poulsen në minutën e dytë.

Por, me inkuadrimin e Kevin De Bruynes në pjesën e dytë, gjërat ndryshuan në të mirë të belgëve.

De Bruyne fillimisht asistoi te goli i barazimit i shënuar nga Thorgan Hazard në minutën e 55-të, teksa në minutën e 70-të mesfushori i Manchester Cityt realizoi golin e fitores.

Belgjika është në krye të Grupit B me gjashtë pikë. Rusia renditet e dyta me tre pikë, aq sa ka edhe Finlanda një pozitë më poshtë.

Në pozitën e katërt ose të fundit renditet Danimarka me zero pikë. /Zeri.info