Infektuar: 107497
Shëruar: 104054
Vdekur: 2245
Statovci: Bashkimi moralisht është në Ligën e Parë

Statovci: Bashkimi moralisht është në Ligën e Parë

Sport June 11, 2021 - 14:58
Detajet

Bashkimi i Koretinit në edicionin e fundit në Ligën e Dytë të Kosovës në futboll e ka zhvilluar një kampionat të jashtëzakonshëm, mirëpo në fund nuk arriti “ta presë një biletë” për inkuadrim në Ligën e Parë.

Bashkimi në 30 ndeshje në Ligën e Dytë i tuboi 70 pikë, aq sa Rahoveci, që e siguroi një rang më të lartë garash për faktin se në ndeshjet direkte ishte më i suksesshëm se Bashkimi.

Trajneri që ka bërë një punë të madhe në Bashkim, Faruk Statovci, vlerëson se skuadra e tij moralisht është në Ligën e Parë.

“E kemi bërë një organizim dhe një punë të madhe te Bashkimi. Moralisht ne jemi në Ligën e Parë, pasi konsiderojmë se në ndeshje edhe jemi dëmtuar, por kështu e ka futbolli. Më vjen shumë keq për futbollistët dhe stafin, të cilët e kanë dhënë maksimumin që skuadrën ta dërgojmë në një tjetër nivel, por në fund nuk e arritën qëllimin. Megjithatë, jam i lumtur dhe krenar për punën dhe mundim që e kemi bërë në skuadër”, ka thënë Faruk Statovci në një prononcim për “Zeri.info” të premten.

Statovci, që si futbollist shkëlqente në fushat e futbollit kosovar dhe në Maqedoni, foli edhe për të ardhmen e tij.

“Unë kam pasur marrëveshje me Bashkimin, e cila ka përfunduar. Kam pasur marrëveshje, jo kontratë, sepse për mua fjala është më e rëndësishme se letrat. Mbetet të shihet se si do të organizohet klubi për edicionin e ri dhe se a do ta vazhdojmë ose jo marrëveshjen”, zbuloi Statovci, për të cilin janë interesuar edhe disa skuadra të tjera kosovare.

“Realisht, i kam pranuar tri oferta, por ende nuk ka asgjë konkrete dhe si fillim e vlerësoj se duhet të bisedoj me Bashkimin, pasi ndiej obligim moral ndaj tij”, përfundoi Faruk Statovci, duke mos përmendur emra. /Zeri.info